Dekretohet Viktor Gumi për në postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale

Jep dorëheqjen Anastas Duro
TIRANE - Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, priti ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, i cili, duke i shprehur kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin me kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, paraqiti dorëheqjen e tij, pas faktit se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u nda nga koalicioni qeveritar dhe kaloi në koalicionin opozitar.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, falënderoi ministrin Anastas Duro për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij si ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe pranoi dorëheqjen e tij nga ky post.
pas kësaj dorëheqje, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, propozon në postin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zëvendësministrin aktual të Drejtësisë, Viktor Gumi.
Viktor Gumi është i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe është lektor në shkollën e Magjistraturës dhe në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Është anëtar i Bordit të Shkollës së Magjistraturës.