Bllokimi i studentëve, liri shefes së agjencisë
TIRANE – Gjykata e Tiranës la të lirë dje dy personat e akuzuar si përgjegjës të bllokimit për 4 ditë të 167 personave në portin e Triestes të Italisë. Administratorja e agjencisë së udhëtimit “Mar-Est”, Iris Çekani dhe një prej studentëve Valter Marashi, u lanë në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” deri në mbyllje të hetimeve. Çekani dhe Marashi u prangosën nga policia menjëherë sapo trageti ku po udhëtonin studentët u fut në portin e Durrësit pak ditë më parë. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë Çekani pohoi se nuk ishte aspak në interesin e saj që ajo të shfrytëzonte udhëtimin turistik të studentëve për të kaluar klandestinë në vendet e BE-së. Sipas saj, ajo nuk do të rrezikonte biznesin duke falsifikuar për 4-5 veta, në një kohë që do të dërgonte 150 vetë të tjerë në vendet e Europës. Për studentin e vitit të tretë juridik, Marashi, prokuroria kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, pasi ndaj tij nuk kishte prova konkrete që e implikonin në veprime të jashtëligjshme. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve dhe kërkesat e tyre, gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për të pandehurit. Ngjarja për të cilën akuzohen Çekani dhe Marashi zuri fill pak ditë më parë, kur trageti në të cilin udhëtonin 167 persona u bllokua nga autoritetet italiane në portin e Triestes. Ata ishin nisur për një udhëtim turistik, me viza të siguruara nga agjencia “Mar-Est” në ambasadën hungareze në Tiranë. Një ditë pas marrjes së vizave, agjencia ka anuluar të gjitha rezervimet e bëra në hotelet në Slloveni. Anulimi i prenotimeve krijoi dyshime për manipulime në ambasadën hungareze, e cila anuloi vizat në një kohë që studentët ishin në det të hapur. Pas 4 ditësh qëndrim në portin e Triestes ata u kthyen në Shqipëri. ar.ba