E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësit e kambistit: Donim paratë, jo t’i merrnim jetën

 

DURRES / OERD ULQINI

Tre të pandehurit që i morën jetën kambistit Agush Hyzoti kanë shprehur pendesë përpara drejtësisë. Me një rrëfim drithërues ata kanë zbardhur të gjithë ngjarjen hap pas hapi, që nga momenti i ideimit dy javë më parë e deri tek grabitja me pasojë vdekjen e kambistit, baba të tre fëmijëve. Ata kanë rrëfyer se “kemi kryer vrasjen vetëm pas rezistencës së kambistit për të mos dorëzuar paratë”. Ditën e krimit, të tre autorët Luis Vangjeli, Marvin dhe Kevin Ranxha e kanë ndjekur nga pas kambistin 45-vjeçar, që nga agjencia e këmbimit valutor, që ndodhet në qendër të qytetit e deri tek kati i dytë i pallatit ku ai banonte, për ta ekzekutuar më pas me breshëri automatike. Sipas hetuesve vrasësit kishin plot dy javë që studionin terrenin, duke filluar nga orari i punës, lëvizjet e viktimës, orën kur ai vinte dhe ikte nga puna, shumën e parave që transportonte mesatarisht, etj. Ditën e shtunë, më 9 maj 3 personat e kanë ndjekur nga pas kambistin 45-vjeçar. Distanca e përshkuar nga agjencia valutore e deri tek shtëpia e të ndjerit, e ndodhur në lagjen 11 të Durrësit nuk ka qenë më e madhe sesa 1 kilometër. Njëri prej autorëve, Luis Vangjeli duke qenë komshi i kambistit, ka qëndruar pranë pallatit ku i ndjeri banonte. Në këtë mënyrë çdo veprim i Hyzotit ka qenë i survejuar. Sapo kambisti ka arritur në hyrje të pallatit është ndalur nga keqbërësit, të cilët i kanë kërkuar paratë që kishte me vete. Pasi kanë hasur në kundërshtimin e 45-vjeçarit, grabitësit e kanë qëlluar me automatik “model 56”, dhe më pas kanë marrë arratinë në bazë të një skenari të hartuar më parë, ku fillimisht është përdorur një motor dhe më pas një automjet. Po atë ditë ata kanë mundur të largohen nga Durrësi në drejtim të Elbasanit me 28 mijë eurot e grabitura. Pas këtij rrëfimi dhe kërkesës së prokurorit të çështjes Sokol Nishani, trupi gjykues, i cili drejtohej nga Florika Hysi, komukoi masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të pandehurit. Prokurori Nishani argumentoi rrezikshmërinë shoqërore të tre të arrestuarve si dhe faktin që “dyshimet janë të bazuara në prova”. Ndërkohë kjo seancë zbardhi edhe detajin se tre personat kanë qenë të skeduar më parë nga policia. Luis Vangjeli, fqinj i viktimës dhe dy vëllezërit Kevin e Marvin Ranxha janë ndaluar vitin e kaluar nga policia e Tiranës për tentativë vjedhjeje të një autoveture, por janë liruar nga akuza shumë shpejt. Tre të pandehurit e akuzuar si vrasësit e 45 vjeçarit, baba të tre fëmijëve kanë shfaqur pendesë përpara togave të zeza, duke lënë të kuptohej se “nuk kishin si qëllim vrasjen, por vetëm grabitjen e kambistit”. Ndonëse përgjegjësit janë arrestuar, akoma nuk është gjetur shuma e parave prej 28 mijë eurosh që iu grabit kambistit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›