E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen bashki-ministri për të pastrehët

 

Nis me përplasje projekti për ndërtimin e 400 banesave sociale për të pastrehët. Bashkia e Tiranës dhe qeveria duan ta mbajnë secila për vete. Gjithçka ka marrë shkas nga vizita e Kreut të Bashkisë së Tiranës Edi Rama tek ish-uzina e autotraktorëve, ku po ngrihen banesat. Ai theksoi se ky projekt i bashkisë është një zgjidhje shumë e madhe. “Nëse sot për Tiranën, ne po sistemojmë 400 familje, pas përpjekjesh shumëvjeçare, nesër në qeverinë kombëtare dhe bashkë me qytetarët, ne do të mund të bëjmë një politikë të re të strehimit social në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha qendrat urbane, ku kalvari shumëvjeçar i të pastrehëve do të marrë fund”, deklaroi Rama. Fondet për financimin e këtij projekti janë 12 milionë euro, nga të cilat 6.347 milionë euro janë financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Evropës, e cila do të shlyhet nga Bashkia e Tiranës. “Politika jonë e re e strehimit fillon të jetësohet sot, me themelet e një lagjeje të re për të pastrehët. 400 apartamente të reja, me një kredi të negociuar me Bankën e Këshillit të Evropës, me një projekt të standardeve evropiane, për familje që pavarësisht se janë të varfra, meritojnë të jetojnë jo vetëm në një shtëpi por edhe pranë një hapësire me çerdhe, kopsht, shkollë, qendër shëndetësore dhe park. Kjo është politika e re e strehimit, ky është vizioni ynë për strehimin social”, tha Rama. Por i menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë së Punëve Publike. ”Kryetari i Partisë së Bashkisë gënjeu sot pasdite duke paraqitur si të tijin programin e Ministrisë së Punëve Publike për strehimin”, thuhet në deklaratën për mediat të këtij dikasteri. Sipas saj, me një kredi të kontraktuar nga Qeveria Shqiptare, brenda programit të strehimit të MPPTT-së, në Tiranë filloi ndërtimi i 360 apartamenteve, pjesë e një kontigjenti për 1100 apartamente që do të ndërtohen në 8 qytete të vendit. “Ky projekt duhet të kishte nisur muaj më parë. E vetmja gjë që ka munguar kanë qenë trojet, pasi politika e z.Rama nuk ka troje për të pastrehët por ka troje për klientët financiarë e politikë të Kryetarit të Bashkisë”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, qeveria gjatë këtyre 4 viteve, ndërtuar e blerë në treg 1000 apartamente, ka kontraktuar me Bankën e Këshillit të Evropës 1100 apartamente, ka prezantuar paketën me 6000 apartamente të kredituara, 3257 prej të cilave për familjet që jetojnë në shtëpitë e ish- pronarëve dhe pjesa tjetër për kontigjentin që gëzon statusin e të pastrehut. Pas akuzave ka reaguar nënkryetari i Bashkisë Eduard Shalsi. “Rikujtoj se është kjo qeveri që u zotua se do të ndërtonte plot 4000 apartamente për të pastrehët. E dëshpëruar, për shkak se nuk arriti të ndërtojë atë që premtoi, do të bënte mirë të gjente kurajon, për t’u kërkuar ndjesë të pastrehëve dhe jo të “qesharakëzohej” në sytë e shqiptarëve, duke u përpjekur të reklamojë si të sajat, projekte të cilat i kemi negociuar që kur ato kanë qenë në opozitë”, u shpreh Shalsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›