E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasagjeri i furgonit trafik droge në Korçë

 

KORÇE - Policia e Korçës sekuestroi dje shtatë kilogramë lëndë narkotike, kanabis sativa dhe arrestoi poseduesin e saj. Operacioni i antidrogës i koduar “Bishtpëllumbi” u krye në vendin e quajtur “Ura e Dukës” në aksin nacional Ersekë-Korçë. Në sajë të këtij operacioni u arrestua në kushtet e flagrancës 24–vjeçari nga Erseka Armir Qazimi. Sipas policisë, operacioni u realizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për veprimtarinë e jashtëligjshme të së riut. Burimet e policisë bënë të ditur se antidroga kishte siguruar informacione për trafikun e lëndëve narkotike nga zona e Kolonjës në drejtim të qytetit të Korçës. Për të verifikuar sinjalet, Sektori i Krimit të Organizuar në drejtorinë e policisë së Korçës organizoi punën dhe rreth orës 09:30 ngritën postblloqe në këtë aks. Nga kontrolli i bafasishëm në një furgon të linjës Ersekë-Korçë u zbulua sasia e lëndës narkotike. Sipas policisë, lënda po transportohej nga 24-vjeçari Qazimi, i cili kishte hipur si pasagjer. Ai kishte fshehur në një çantë sasinë e kanabisit. Policia bëri të ditur se lënda narkotike do të dërgohej në qytetin e Korçës. Por sipas burimeve, ka dyshime se destinacioni i fundit i lëndës të jetë shteti fqinj, Greqia. Policia tha se është duke punuar për të  zbuluar bashkëpunëtorë të mundshëm të këtij trafiku. I riu nga Erseka u transportua drejt policisë së Korçës nga ku u mor në pyetje në lidhje me këtë veprimtari të tij si dhe personat e tjerë të mundshëm si pjesëtarë të këtij rrjeti. Mësohet se i riu u akuzua për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.            j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›