Bllokimi në Porto Romano, grositët kërkojnë ndihmën e Kryeministrit
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve kërkon zhbllokimin e tregut të ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm në Porto Romano. Me një letër drejtuar Kryeministrit dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, shoqata kërkon që Shoqëria “Romano Port Sh.a.” të detyrohet të respektojë të drejtën e barazisë për shoqëritë që do të kryejnë shërbime nëpërmjet këtij objekti, duke respektuar legjislacionin në fuqi në këtë fushë. Në fillim të këtij muaji, Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim të thelluar për tregun e depozitimit të gazit të lëngshëm në Porto Romano. Vendimi është marrë pas ankesës së shoqërisë “Mare Oil”, që nuk është lejuar të përdorë depozitat e Porto Romanos për shkarkimin e një anijeje me gaz të lëngshëm. Gjithashtu, Autoriteti ka vendosur si masë të përkohhme detyrimin e “Romano Port sh.a.” për të lejuar kompaninë e interesuar të depozitojë ngarkesën e gazit të lëngshëm. Por masat e përkohshme të marra nga Autoriteti nuk janë zbatuar dhe shoqëria “Mare Oil” ende nuk është lejuar të shkarkojë në Porto Romano. Kjo ka detyruar Shoqatën e Shoqërive të Hidrokarbureve të kërkojë publikisht zgjidhjen e problemit. Sipas ligjit, në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve, Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë gjoba periodike deri në 5% të xhiros mesatare ditore, deri sa shoqëria të zbatojë vendimin. Gjatë ditëve në vijim, RTV SCAN do të sjellë qëndrimin e Autoritetit të Konkurrencës dhe të institucioneve të tjera të përfshira.