E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokmenët nuk i bllokojnë dot vizat

Topalli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zgjodhi fëmijët e Shkodrës për të dhënë urimet e saj në ditën e 1 Qershorit. Në një atmosferë të veçantë festive, fëmijët dhe nxënësit e shkollave nëntëvjeçare të qytetit, së bashku me prindërit dhe qytetarë të tjerë të Shkodrës, mikpritën Kryetaren e Kuvendit, në një spektakël artistik dhe sportiv. Në fjalën e saj në këtë aktivitet, Kryetarja e Kuvendit, deklaroi se fëmijët e Shqipërisë tashmë ndihen të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Europë. Sipas saj, vendimi i miratuar për lëvizjen e lirë të shqiptarëve më shumë se çdo kush tjetër në vend do të gëzohet nga fëmijët. “Këta fëmijë do të kenë mundësi të lëvizin të lirë në Europë, dikur një ëndërr për prindërit e tyre, por tashmë afër realitetit, falë reformave, punës dhe guximit të jashtëzakonshëm të çdo shqiptari”, theksoi Topalli. Sipas saj, vendimi historik i Komisionit Europian që rekomandoi heqjen e vizave me Shqipërinë është një premtim tjetër i mbajtur i qeverisë, i cili u arrit si rezultat i reformave të mëdha që u ndërmorën në këto pesë vjet në vend. Por sipas Topallit, ky vendim nuk mund të pengohet më nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe nga Shkodra i bëri thirrje që të mos e pengonte edhe integrimin e vendit në BE. “I them sot Edvin Ramës nga ky qytet, që ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër nga regjimi komunist, që nuk mund të kthehen më as bllokmenët e vjetër, as bllokmenët e rinj, të cilët mund të pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë”, deklaroi Topalli. Sipas saj, pas shumë vitesh vuajtje, shqiptarët meritojnë të jetojnë njësoj si fqinjët e tyre evropian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›