Rinisin operacionet për kërkimin e Bleonës së zhdukur
Udhëtimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në Zapod të Kukësit, ku 11 ditë më parë humbi 6-vjeçarja Bleona Mata, u ka dhënë një shtysë të fortë kërkimeve në terren, ndërkohë që në bashkëpunim me Interpolin kërkimet shtrihen edhe jashtë kufijve të vendit. Vetë Burgaj në shtëpinë e Matës ka deklaruar se kërkimet do të intensifikohen dhe se për të gjetur Bloenën do të bëhet çdo gjë e mundur. Drejtori i Përgjithshëm tha se për kërkimin e Bleonës së humbur kishte pasur mirëkuptim dhe mbështetje edhe nga Prokuroria e Përgjithshme e Shtetit, si dhe nga struktura të tjera. Ai tha se janë dërguar në bazë ekspertët më të mirë të fushës dhe se nuk do të kursehet asgjë për gjetjen e vajzës së vogël të familjes Mata. Numri një i Policisë së Shtetit tha gjithashtu se kishte kontaktuar me drejtuesit më të lartë të policisë së Kosovës dhe Maqedonisë si dhe me autoritetet të Interpolit për të bërë të mundur kërkimin dhe gjetjen e Bleonës fotografinë e së cilës, siç tha ai, e kanë tashmë shumë stacione policie në botë.
Dhjetëra efektivë të policisë janë nisur mëngjesin e së martës përsëri drejt zonës ku humbi vajza e vogël në mënyrë që të bëhet e mundur krehja edhe një herë e bjeshkëve dhe e gjithë territorit të komunës dhe më gjerë. Edhe nga ana e policisë së Kosovës, me kërkesën e policisë së Shqipërisë kanë vijuar kërkimet në terren. Bashkë me efektivët blu ka udhëtuar në Zapod edhe drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj, dhe drejtues të tjerë të lartë të policisë lokale. Ata po udhëtojnë me këmbë dhe me kuaj në dhjetëra kilometra të bjeshkëve të Koritnikut dhe në luginat e zonës së thellë. Efektivët po e këqyrin zonën të shoqëruar edhe me udhërrëfyes nga fshati, duke përdorur dylbi dhe mjete ndihmëse për ngjitje në terrene të vështira.
Edhe familjarët dhe farefisi i Matës e ka ndërprerë çdo aktivitet tjetër dhe i është kushtuar tërësisht kërkimit të vajzës së vogël e cila humbi në kullotë pak kilometra larg shtëpisë 11 ditë më parë. Gjyshi i Bleonës, Zenel Mata, i cili punon si mësues në fshat, tha se të hënën e kishte ndërprerë mësimin pasi nuk kishte mundur të punonte nga ngashërimi që i kishte shkaktuar interesimi i nxënësve. “çfarë po bëhet për Bleonën, më pyetën nxënësit dhe unë shpërtheva në lot”, tregon ai.
Prindërit e vajzës, duke e menduar vajzën e tyre të rrëmbyer nga keqbërës apelojnë që shteti të bëjë të mundur gjetjen e saj, ndërsa duke iu drejtuar keqbërësve ata thonë se janë gati të japin gjithçka që vajza t’u kthehet. “Jap çdo gjë që mund të më kërkohet. Jap organet e trupit tim, jap edhe jetën time, vetëm vajza të kthehet në gjirin e familjes”, thotë nëna, Blerina, duke treguar shtratin ku flinte Bleona, tanimë të boshatisur. Të njëjtat fjalë thotë edhe babai, Zamiri, i cili ashtu siç dhe babai i vet, Zeneli, se është gati të shesë edhe shtëpinë nëse rrëmbyesit duan para për kthimin e vajzës.