Lufta ndaj kanabisit, Berisha merr si shembull Lazaratin
Forcat e rendit dhe deputetët kanë bërë një punë të lavdërueshme për të eliminuar mbjelljen e kanabisit në disa zona problematike të vendit, siç është Lazarati. Kjo ishte deklarata që bëri dje Kryeministri Berisha në një mbledhje të komitetit ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Duke u përqendruar në fjalën e tij tek masat që po ndërmerr qeveria në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në kuadër të aspiratës për lëvizje të lirë të qytetarëve shqiptarë, Berisha theksoi se puna për rehabilitimin e këtyre zonave do të vijojë. “është bërë një punë e madhe për luftën kundër kanabisit. Unë përgëzoj forcat e rendit, deputetët, të cilët kanë bërë një punë komunitare shumë të dobishme në disa komuna të vendit si në Lazarat dhe në komuna të tjera”, deklaroi Berisha, duke shtuar se qeveria do t’ju krijojë mundësinë këtyre banorëve që të kenë mundësi të punojnë në zonat e tyre. Por nga ana tjetër, në luftën kundër kanabisit, kreu i qeverisë deklaroi se një përgjegjësi shumë të madhe kanë edhe drejtuesit vendorë të këtyre komunave. Sipas Berishës, në zbatim me ligjet në vend, këta kryekomunarë do të mbajnë përgjegjësinë kryesore në rast se në zonat që ata administrojnë shikohen raste të mbjelljes kanabisit. “Ligji që penalizon pushtetarët vendorë për mbjelljen e bimëve narkotike duhet të zbatohet me seriozitetin më të madh. Ata janë zotët e territorit të tyre. Në ligj, në Kushtetutë, ata janë përgjegjës për administrimin e territorit të komunës së tyre. Ata nuk mund të thonë se nuk e dimë se po na mbillet kanabis”, theksoi Berisha. Ai shtoi se ndonëse fenomeni i mbjelljes së bimëve narkotike është reduktuar ndjeshëm, kjo praktikë duhet të harrohet plotësisht. Duke theksuar faktin se procesi i liberalizimit të vizave sjell më shumë përgjegjësi për qeverinë, Berisha theksoi se duhej treguar kujdes i veçantë për të gjithë ata përfaqësues të krimit të organizuar të mos kenë asnjë mundësi të jenë të lirë. “Duhet të jemi realistë, nuk ka ndonjë trafikant që të ketë vuajtur për marrjen e një vize, por tani, lëvizja e lirë, pa viza përbën gjithashtu për ta mundësi më të mëdha të ushtrimit të veprimtarisë së tyre kriminale, por përbën edhe një përgjegjësi shumë më të madhe për ne, në mënyrë që të konsolidojmë fuqishëm luftën kundër krimit të organizuar”, deklaroi Kryeministri. Kreu i qeverisë kërkoi që gjykatat të ishin të vendosura në këtë luftë dhe nga ana tjetër të luftohej edhe fuqia ekonomike e organizatave kriminale. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë theksoi se duheshin marrë masa të rrepta pas liberalizimit të vizave dhe për të zhdukur trafikimin e femrave dhe fëmijëve. “Ne do të përcaktojmë disa rregulla shumë serioze, të cilat i ka bota e do t’i kemi edhe ne, për lëvizjen e fëmijëve. Duhet me shpejtësi të studiohet i gjithë legjislacioni, kushtet në të cilat një fëmijë kalon në pikat tona kufitare”, theksoi Kryeministri. Sipas Berishës, ishte e udhës që qeveria shqiptare të merrte masa të rrepta kundër të gjithë rreziqeve që mund të vinin nga liberalizimi i vizave.
#