Ramiz Alia: Unë nuk e dëgjoj Berishën
“Unë kam një të keqe, nuk e dëgjoj Berishën”. Kështu është përgjigjur dje ish-sekretari i Parë i PPSH-së, njëkohësisht President i parë i pluralizmit në Shqipëri, Ramiz Alia, lidhur me pretendimet e fundit të Kryeministrit Sali Berisha për Masakrën e Tivarit. Duke folur nga Muzeu Kombëtar, me rastin e promovimit të librit të tij, “Jeta ime, Kujtime”, Alia nuk ka preferuar që të replikojë për këtë çështje që gjithsesi mbetet e pazbardhur plotësisht për publikun shqiptar. “Masakra u quajt krim ndaj shqiptarëve. Le të flasin ata serbë ose kosovarë që e kryen”, ka deklaruar Ramiz Alia, i cili është rikthyer së fundmi në protagonist edhe i debatit politik në Shqipëri. Në fakt sulmi i Berishës ndaj ish-presidentit ka ardhur në një kontekst politik domethënës, i krijuar nga përkimi i publikimit të librit me prononcimet e Alisë për grevën e urisë së socialistëve. Përzgjedhja e një akuze të tillë nga Kryeministri aktual, që më së shumti ka kërkuar “zbërthimin e Ramiz Alisë për masakrën e Tivarit” zbulon synimin propagandistik të njollosjes së kundërshtarit përmes idesë së vazhdimësisë në PS të linjës së ish–Byrosë Politike. Në fakt, për sa i përket kësaj të fundit, edhe dje Alia nuk ka hezituar që të rikonfirmojë mbështetjen për grevën e urisë, në kontekstin e një qytetari aktiv, pa harruar që të risjellë në vëmendje situatën e vështirë ekonomike që vijon prej 20 vjetësh në Shqipëri. “Me sa duket, drejtuesit e tipit berishian vijojnë të jenë pengesë...”, është shprehur Alia në një qëndrim që rikonfirmon raportin e tij politik me idetë e majta në përgjithësi.
#