E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e të miturve, policia gjen një arkë me granata

Banorët kërkohet që të pastrohet zona, ka municione dhe përreth fshatit dhe ata i druhen ndonjë tragjedie tjetër

Gramsh- Gjendet një arkë me granata në afërsi të banesës ku humbi jetën një 9-vjeçar, e mbeti i plagosur rëndë vëllai i tij më i vogël. Sipas policisë, arka ishte e fshehur poshtë një mullari me kashtë dhe ka tërhequr vëmendjen e vogëlushëve, të cilët kanë hapur kapakun dhe kanë marrë prej andej granatën ofensive. Në një çast 9-vjeçari, Eri Nesiti ka tërhequr siguresën dhe mjeti luftarak i ka plasur në dorë. Ai ka ndërruar jetë në pak minuta, ndërsa vëllai tjetër është dërguar me shpejtësi në spital. Fëmijët jetonin me nënën dhe gjyshen, ndërsa babai punonte si emigrant në Greqi dhe ka ardhur dje, për të përcjellë për në banesën e fundit djalin e tij 9-vjeçar. Ngjarja është përjetuar me dhimbje nga banorët e fshatit, të cilët kanë kërkuar që zona të pastrohet nga municioni, pasi edhe më parë kanë ndodhur raste të tilla në këtë zonë. Mjekët e Spitalit Ushtarak në Tiranë kanë deklaruar se, edhe pse ka plagë të rënda, 4-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.

Edhe pse në Gramsh u aplikua projekti “Armë në Këmbim të Zhvillimit”, edhe pse ka përfunduar projekti i demontimit të granatave dhe municioneve luftarake, në uzinat e Mjekësit dhe Gramshit, sërish municionet janë mbjellë kudo në këto anë. Mjaft të shqetësuar nga kjo ngjarje, dhe nga të tjerat më parë, banorët kërkojnë që të rinisë sërish një projekt për pastrimin e fshatit dhe zonës përreth nga lëndë shpërthyese, pasi po marrin jetë njerëzish. Kryeplaku i fshatit Shën Mërizë, Sadush Brahimi, u shpreh se “është e nevojshme që shteti të kryejë një pastrim tjetër të zonës me specialistë të fushës, pasi deri më sot janë regjistruar disa ngjarje të rënda. Një djalë 17 vjeç humbi jetën dhe shoku i tij u plagos rëndë ndërsa po çmontonin një predhë për skrap. Por predha, granata, mina e pajisje luftarake janë gjendur në pyje, kullota, ata, rrugë etj” nënvizon kryeplaku. I pari i fshatit thotë se banorëve u është bërë apel që të njoftojnë dhe të dorëzojnë municionin luftarak pasi ato përbëjnë burim fatkeqësish. Ne mendojmë se përreth ka shumë municion ndaj duhet të gjendet një zgjidhje pasi kemi frikë për fëmijët të cilët janë kureshtarë. Fatkeqësi mund të shkaktohen edhe nga pakujdesia e në mënyre aksidentale. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›