Kryepolici Burgaj : Imazhet e drogës me satelit tashmë prova penale
Gjirokastër I pranishëm në çeljen e fushatës antikanabis në Qarkun e Gjirokastrës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti Hysni Burgaj ka garantuar edhe një herë luftën pa kompromis të efektivave të policisë për minimizimin e rasteve te kultivimit të bimëve narkotike si dhe plotësimin e standardeve të kërkuara nga vendi ynë në këtë drejtim për integrimin në strukturat europiane. “Edhe në Qarkun e Gjirokastrës, ashtu si në të gjithë vendin, ka ardhur në ulje numri i rasteve të kultivimit të drogës dhe rritja e forcës goditëse të policisë. Këtë fenomen e gjejmë ende të pranishëm, të izoluar në disa banesa në fshatin Lazarat", ka pohuar Burgaj. Sipas tij, në javët në vazhdim policia do të ndërmarrë të gjitha masat, duke përfshirë edhe monitorimin nga ajri, apo me satelit, për të luftuar fenomenin e kanabisit. "Ne po bashkëpunojmë me partnerët e huaj, që edhe imazhet satelitore të parcelave të mbjella me kanabis, të përdoren si provë ligjore për të ndëshkuar ligjërisht autorët e këtyre veprave penale", ka pohuar Burgaj, në takimin e Gjirokastrës. Aktiviteti i realizuar në mjediset e Kinoteatrit të qytetit të Gjirokastrës ka pasur formën e një organizimi rinor me moton "Jo drogës, po jetës!". Krahas intelektualëve, mësuesve, nxënësve nga të tre rrethet e Qarkut, të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë edhe nënkryetari i Parlamentit Shqiptar Vangjel Tavo, deputeti i Qarkut dhe njëkohësisht ministri i Bujqësisë, Genc Ruli; zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, përfaqësues të misioneve të huaja policore, PAMECA dhe ICITAP, etj. Sesor Gregan, përfaqësues i misionit PAMECA është shprehur se, jam i kënaqur t'iu them se plani i veprimit antidrogë që po ndërmerret aktualisht nga strukturat e shtetit shqiptar është sipas standardeve europiane për parandalimin apo luftimin e drogës.
B.SH.