E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet studenti i Infermierisë, kapet me 100 kg marijuanë



Operacioni “Manastiri”, identifikohen tre bashkëpunëtorët, policia vihet në ndjekje të tyre. Destinacioni i drogës, Greqia

Policia e Gjirokastrës ka mundur të sekuestrojë në orët e para të mëngjesit të djeshëm një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, ndërkohë që vuri në pranga njërin nga katër trafikantët. Një student i Infermierisë është kapur në flagrancë në kufirin shqiptaro-grek me rreth 100 kg marijuanë, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 shtetas të tjerë. Operacioni që bëri të mundur kapjen e sasisë së drogës ishte koduar me emrin “Manastiri”, dhe u drejtua nga Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare, Kakavijë. Sipas burimeve zyrtare policore, efektivët ishin informuar se në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek mund të transportohej një sasi lënde narkotike dhe vetëm rreth orës 19:00 të dy ditëve më parë, u konstatuan 4 persona anës lumit Drino, në afërsi të fshatit, Llongo. Personat ishin të ngarkuar me çanta dhe po lëviznin në drejtim vijës së kufirit me shtetin grek. Menjëherë shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, së bashku me shërbimet e Policisë Kufitare, u vunë në ndjekje të personave. Pas një ndjekjeje të gjatë në një terren tepër të vështirë, rreth orës 00:30 në vendin e quajtur “Manastiri”, fare pranë vijës së kufirit, u bë e mundur kapja e njërit prej këtyre shtetasve. Bëhet fjalë për shtetasin Evaris Pasha, 29 vjeç, student në Universitetin “Eqrem Çabej” Gjirokastër, në vitin e parë, dega Infermieri. Në momentin e arrestimit, bëjnë të ditur burimet policore, Pasha ishte i armatosur me një armë zjarri tip “kallashnikov” me fishekë në gojë. Bashkë me këtë person u bllokua dhe lënda narkotike e cila ishte e ambalazhuar në pako cilindrike të mbështjella me letër natriban të futura në 4 çanta të mëdha, gjithsej rreth 100 kilogramë. Policia konfirmon se personat e tjerë mundën të largoheshin duke përfituar nga errësira dhe terreni tepër i vështirë. Por, gjithsesi është arritur të bëhet i mundur identifikimi i personave dhe po punohet për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tyre kriminal. Të tre personat janë shpallur në kërkim.

Policia sekuestroi lëndën narkotike dhe armën e studentit në cilësinë e provës materiale. 29-vjeçari akuzohet për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›