E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radoni, rreziku në zonën e Dajtit dhe Priskës



Specialistët apelojnë: Kujdes, ndiqni kriteret e përcaktuara para se të bëni ndërtime në këto zona. Matni nivelin e radonit dhe kujdes nga materialet që përdorni! Domosdoshmëri, miratimi i një ligji dhe monitorimet e shpeshta

Radoni është më i rëndë se plumbi dhe vret si duhani. Me këto fjalë e karakterizon rrezikun që vjen si pasojë e nivelit të lartë të radonit në disa zona të Tiranës, dhe me nivel më të lartë në zonën e Dajtit dhe Priskës, një specialist në Ministrinë e Mjedisit, ekspert prej 35 vjetësh për matjen e ndotjeve në mjedis. Ndaj, sipas tij, shihet si domosdoshmëri një monitorim i shpeshtë i mjedisit, si dhe miratimi i një ligji që të detyrojë matjen e radonit. “Monitorimet duhet të jenë të shpeshta, ndonëse në vendin tonë prej dy vitesh nuk zhvillohen. Shkak, mungesa e fondeve, pasi monitorimet për radonin nuk kanë qenë prioritet i Ministrisë së Mjedisit”, - shprehet për gazetën “standard” Shkëlqim Mema, specialist në sektorin e ndotjes së mjedisit, në Ministrinë e Mjedisit. Gjithashtu, sipas tij, në vendin tonë mungon një ligj që detyron matjen e radonit, i cili në vendet e tjera është i pranishëm dhe zbatohet me përpikmëri, pasi e vlerësojnë shumë problematike ndotjen e radonit, sidomos në vendet nordike ku dhe ka nivel më të lartë radoni. Duke u mbështetur në matjet që janë bërë në vendin tonë dhe rezultatet, ky ligj duhet të miratohet edhe në Shqipëri, si e vetmja mundësi për të mbajtur nën kontroll rrezikshmërinë e tij. Këto matje duhet të jenë të detyrueshme, sidomos në shkolla, kopshte e çerdhe, shprehen ekspertët, sepse fëmijët janë më të rrezikuarit nga radoni. Në shumë vende të botës, duke e njohur këtë problem, sipas specialistit, kanë miratuar norma të lejueshme të përmbajtjes së radonit në mjediset e punës dhe të banimit. “Ligji është i domosdoshëm, pasi monitoron matjet e radonit në zona të ndryshme me rrezikshmëri, ndërkohë që kontrollon edhe zbatueshmërinë e kritereve nga ndërtuesit”, - përfundon eksperti Mema, ekspert 35-vjeçar në matjen e ndotjeve në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë.

Niveli i radonit në zonën e Dajtit

Formacioni i Dajtit dhe 300-400 metra mbi Priskë ka një nivel të lartë radoni. Konstatimi vjen pas një studimi disavjeçar të bërë nga ekspertët e matjes së nivelit të ndotjes së mjedisit. I pyetur rreth këtij fakti, specialisti Shkëlqim Mema u shpreh se “gjithë zona e Dajtit ka një nivel të lartë radoni. Këtë e kemi vërejtur gjatë matjeve që kemi bërë në këto 25 vitet e fundit. Vetë toka në këtë zonë, për shkak edhe të mineraleve që gjenden në thellësi, ka nivel të lartë radoni dhe ndërtimi i godinave në këtë zonë duhet të kryhet në bazë të disa kritereve. Por, ky nuk është një shqetësim i tanishëm, ka ekzistuar me kohë por nuk është bërë asnjëherë publik për shkak të sistemit të asaj kohe, qysh në kohën e diktaturës. Nivel të lartë radoni ka pasur në godinat e ish-udhëheqjes në Dajt, të cilat ndonëse ajroseshin shpesh, nuk arrinin të kishin pastërtinë e duhur në ambient. Shkak ishte mënyra sesi ishin ndërtuar dhe pamjaftueshmëria e ajrimit. Kjo na detyron të japim disa këshilla para se të bëhen ndërtime në zonë e Dajtit dhe pranë Priskës. Bëni matjet e vendit para se të ndërtoni, ndiqni kriteret në themele dhe madhësinë e dritareve për ajrosjen e banesës, dhe nuk do ketë probleme”, - shprehet specialisti Mema, pasi sipas tij, radoni vret si duhani ngadalë dhe nuk shfaq simptoma të dukshme për të marrë masa. Me kalimin e kohës, personave të ekspozuar ndaj radonit, u shfaqet kancer në mushkëri, duke rrezikuar seriozisht jetën.

Radoni, edhe në materialet e ndërtimit

Ndotja e radonit është e lidhur shumë me mënyrën e ndërtimit të ndërtesave, ndaj dhe masat e para duhen parë në këtë drejtim. Specialistë që janë marrë me matjet e nivelit të radonit në ndërtesat e banesave tona, por edhe z. Shkëlqim Mema, shprehen se “nëse themelet e shtëpive janë të ndërtuara shumë mirë dhe nuk lejojnë depërtimin e tij nga toka në brendësi të shtëpisë, ndotja mbetet në nivele të ulëta”. Po sipas ekspertëve, nëse dikush vëren të çara në muret e banesave, duhet të bëjë në mënyrë të menjëhershme izolimin total të tyre. Kur konstatohet nivel i lartë radoni, atëherë duhet që mjediset të ajrosen vazhdimisht, dhe ajrosja të vijojë të paktën 2 orë rresht, pasi radoni gjendet kryesisht në ambientet e brendshme. Nëse disa shkaqe që sjellin nivele të larta të radonit jemi në gjendje t'i evitojmë, sipas ekspertëve, nuk duhet të tregohemi indiferentë ndaj këtij rreziku, pasi edhe materiale të ndryshme, mund të jenë shkak për ndotjen e radonit. Specialisti Mema u shpreh për nivelin e radonit në ndërtesat e reja se “nuk është se matjet kanë treguar nivel të lartë të radonit në këto ndërtesa. Por, u tërhiqet vëmendja ndërtuesve të pallateve të ndjekin disa kritere para se ta fillojnë ndërtimin e tij. Së pari duhet të bëjnë matjet nëse zona ku po bën pallatin ka nivel të lartë radoni. Pastaj, duhen ndjekur kriteret për hapjen e themeleve, madhësinë e dritareve për të krijuar një sistem ajrimi të plotë. Madje, duhet patur kujdes edhe për materialet që përdoren në ndërtim, pasi ka shumë mundësi që gurët apo rëra të merren nga vende ku niveli i radonit është i lartë. Këto rregulla duhen ndjekur pasi radoni është më i rëndë se plumbi dhe rrezikon kancer në mushkri me kalimin e viteve”.

Çfarë është radoni

Radoni është një gaz radioaktiv, pa ngjyrë, pa shije dhe pa erë, i pakapshëm nga shqisat e njeriut. Ai krijohet si rezultat i shpërndarjes radioaktiv të uraniumit dhe toriumit, që gjenden në tokë. Ky gaz radioaktiv, për arsye të ndryshme, del nga poret e tokës që përmban elemente radioaktive dhe përhapet në sipërfaqe të saj. Për këtë arsye, ky gaz shfaqet edhe në brendësi të banesave, sidomos në bodrumet dhe në katet e para, por kurrsesi nuk përjashtohet mundësia e pranisë së tij edhe në katet e sipërme. Pra, burim i pranisë së radonit në ndërtesa, është përmbajtja e uraniumit dhe e toriumit, në formacionet e truallit të ndërtesës dhe në materialet e ndërtimit që janë përdorur (kryesisht në gurët dhe rënën që përdoret për ngritjen e pallateve, pasi më parë duhen bërë matjet në vendin ku ato merren. Zona e Dajtit nuk rekomandohet nga specialistët për marrjen e gurëve për themelet e shtëpive).

Radoni, shkaktar i kancerit të mushkërive

Sëmundje fatale për jetën dhe rreziku më i madh, është sidomos për moshat e vogla. Radoni vret si duhani, ngadalë dhe në kohë. Nuk shfaq simptoma që ta identifikosh në kohë, por vret ngadalë me kalimin e viteve. Ky është konstatimi që bëjnë ekspertë të Departamentit të Mbrojtjes nga Rrezatimi dhe të Mjedisit, lidhur me rreziqet që sjell ekspozimi ndaj radonit. Nëse dikush ekspozohet për vite me radhë nga niveli i lartë i radonit, i shkaktohet kanceri i mushkërive. Kjo është arsyeja pse, sipas specialistëve të shëndetësisë, këshillohet matja e radonit në mjediset e shtëpive, pasi çdokush nga ne është i rrezikuar. Madje, specialistët e shëndetësisë shkojnë më tej në referimin e pasojave që sjell ekspozimi ndaj radonit, duke u shprehur se ndotjen nga radoni e shohin si shkaktar të kancerit në 15 për qind të rasteve të pacientëve me kancer në mushkëri. Radoni, sipas specialistit Mema, duke qenë një gaz radioaktiv dhe që formohet kryesisht në tokë nga dhe del në sipërfaqe të saj, hyn në mushkëri përmes frymëmarrjes. Kjo e bën radonin një ndër lëndët më të rrezikshme për jetën, sepse nëpërmjet sistemit të frymëmarrjes ai depozitohet në mushkëri dhe kështu ai fillon të dëmtojë mushkëritë, duke e cilësuar atë një ndër gazrat më të rrezikshëm që shkakton kancer të mushkërive.

Rrezatimet

Banorët e kateve të para dhe bodrumeve, më të prekura nga radoni

Materialet e ndërtimit, përveçse ndikojnë në shtimin e nivelit të ndotjes së mjedisit, janë një kërcënim direkt për shëndetin e njerëzve edhe brenda shtëpive të tyre. Një studim i Institutit të Studimeve Bërthamore, i nxjerr 8% të banesave me ngarkesë të radonit dy herë më të lartë se normat e lejuara. Radoni është një gaz radioaktiv që shkakton kancer, ndërkohë që ky lloj rrezatimi vjen nga përdorimi i materialeve të ndërtimit nga zonat e pasura me gaz natyror. Nga studimet e deritanishme të përqendrimit të radonit në tokë vërehet se si në qytetet me një numër të kufizuar sheshesh me “rrisk të lartë radoni” apo qytete të klasifikuara me nivel mesatar të përqendrimit të radonit, janë takuar vlera të larta mbi normat e lejuara deri anomale. Kjo vërteton edhe një herë atë që është theksuar vazhdimisht se studimet e shkallës 1:25000 nuk përfaqësojnë plotësisht nivelet e përqendrimit në sheshe të vogla, apo ndërtime të veçanta. “Në Tiranë, përveç Dajtit dhe Priskës, zona me nivel më të lartë radoni është nga Kinostudio në Kombinat, në nivele të caktuara diku më shumë dhe diku më pak”, - shprehet eksperti i matjeve, Shkëlqim Mema. Megjithatë, sipas tij, Dajti dhe zona 300-400 metra mbi Priskë janë zonat me nivel më të lartë radoni për shkak të minierave të qymyrit dhe boksidit. Madje, sipas Memës, duke qenë zona me nivel të lartë radoni, sidomos edhe aty ku janë vilat e ish-Byrosë Politike, rekomandohej që shpesh duheshin bërë ajrosje nga 2 orë, ndonëse për shkak të regjimit të asaj kohe nuk mund të deklarohej një fakt i tillë.

Monitorimi i radonit në ujin e pijshëm

Qyteti i Tiranës është me probleme shqetësuese në lidhje me radonin. Tirana vendoset mbi një trashësi aktive të kuqe, që sipas specialistëve, mund të thuhet se prodhon radon. Pikërisht pjesa që dominohet nga shtëpitë e ulëta 1-2-katëshe dhe që çdo ditë po kthehen në ndërtime të reja është pjesa ku zhvillohet kjo trashësi aktive, e cila detyrimisht duhet izoluar për të penguar kalimin e radonit në ndërtesë.

Rekomandim

Legjislacioni ynë duhet të plotësohet, veçanërisht për qytetet problematike duhet që leja e ndërtimit të pajiset me studimin e përqendrimit të radonit në tokë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›