Bllokohen 160 kg marijuanë, arratisen pronarët
Makina e mbushur me drogë i ka ikur me shpejtësi postbllokut të policisë e më pas është braktisur
GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 161 kilogramësh lëndë narkotike por nuk ka mundur që të arrestojë pronarët e saj. Makina e mbushur me drogë i ka ikur postbllokut të policisë për tu gjetur e braktisur një kilometër më tej. Policia ka shoqëruar dy persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen, por ende nuk është bërë i mundur ndalimi i poseduesve të saj. Aksioni është zhvilluar mesnatën ndërmjet të martës dhe të mërkurës.
Kanë qenë informacionet e marra në rrugë operative në lidhje me transportin e mundshëm të një sasie lëndë narkotike në aksin kombëtar Gjirokastër- Tepelenë ato që kanë hedhur dyshimet e para. "Forcat e policisë së komisariatit të Policisë Tepelenë në bashkëpunimme Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në aksin rrugor Subash- Tepelenë lëvizte një automjet me targa false për të cilin dyshohej se mund të transportonte lëndë narkotike, kanë ngritur një postbllok, në vendin e quajtur Ormëne, në aksin rrugor Tepelenë– Subash, midis Ujit të Ftohtë dhe fshatit Hormovë", ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë Gentian Mullai. Po sipas të njëjtave burime mësohet se në kohën e afrimit pranë postbllokut, drejtuesi i mjetit tip Volksvagen, me targa false "GJ 2954 A" nuk i është bindur urdhrit për ndalim, por është larguar me shpejtësi. Megjithëse forcat policore i janë vënë në ndjekje, një kilometër më tej, mjeti është braktisur nga drejtuesi dhe pasagjeri i tij, të cilët janë hedhur në një përrua në drejtim të lumit Drino. "Si pasojë e errësirës ata kanë mundur të largohen. Menjëherë në drejtim të Tepelenës, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë nisur forca të tjera të policisë, që po bëjnë krehjen e gjithë zonës, për të bërë të mundur kapjen e tyre",- ka theksuar më tej Mullai. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e braktisur janë konstatuar gjashtë çanta të mëdha sportive ,mengjyrë të zezë, të mbushura me lëndë narkotike, pesë prej të cilave kishin nga 25 pako secila, që peshonin 1 kilogramë e 50 gramë, në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike mariuanë të presuar, ndërsa në çantën e gjashtë kishte 31 kilogramë lëndë narkotike mariuanë të paambalazhuar. Hetuesit pohuan se deri tani janë marrë në pyetje dy persona në lidhje me këtë ngjarje por ende nuk është vendosur statusi i tyre. Ky është rasti i shtatë i kapjes së sasive të lëndëve narkotike brenda katër muajve të parë të këtij viti në qarkun e Gjirokastrës.