E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajkard: Largohem, vetëm po më hoqën!

Frenk Rajkard nuk do ta japë dorëheqjen për shkak të eliminimit të Barcelonës së tij nga gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve përballë Mançester Junajtidit. Edhe ky sezon, që ishte më i turbullt se të tjerët, do të mbyllet pa asnjë kupë të fituar, meqë goli i bukur i Pol Skolsit në minutën e 14të ua preu rrugën drejt finales katalanasve. Teksa Reali i Madridit e ka futur në xhep titullin e kampionit të Spanjës, Barça duhet të luftojë për të fituar vendin e dytë nga Viljareali, prandaj largimi i Rajkardit këtë verë duket i pashmangshëm. Megjithatë, ishmesfushori i Milanit dhe i Holandës është i vendosur ta mbyllë sa më mirë sezonin, duke ua lënë aksionerëve të klubit në dorë vendimmarrjen e nevojshme këtë verë. "Largimi nga detyra nuk është pjesë e mendimeve të mia. Nuk kam ndër mend të iki, - u shpreh ai. - Do të ishte diçka ndryshe, nëse futbollistët e mi do të më kërkonin të largohesha, por kështu nuk po ndodh. Barcelona është klub i madh e me shumë njerëz që marrin vendime në fund të sezonit, nëse këto vendime duhen marrë. Do të duhet kohë për të marrë vendime këtë verë, por do të ishte e tepruar të pohohej se ky sezon ka qenë i dështuar."

Megjithëse katalanasit mbizotëruan gjatë shumicës së kohës, ata e paguan shumë shtrenjtë mungesën e konkretizimit të aksioneve të tyre. Argjentinasi Lionel Mesi nuk ishte në gjendje të krijonte mundësitë e shënimit të një goli, as pas hyrjes në fushë të francezit Tierri Henri. Edhe pse ishte tepër i kuptueshëm zhgënjimi i tij, Rajkard u tregua mjaftueshëm fisnik sa për t'i lavdëruar klubet angleze, që për të dytin sezon radhazi zunë tri nga katër vendet e gjysmëfinaleve të Championsit. "Niveli i skuadrave angleze është tepër i lartë, gjë që po vërtetohet më së miri këto vitet e fundit, - u shpreh Rajkardi. - Të gjithë e kanë shumë të vështirë që t'i mposhtin, sepse anglezët janë në përgjithësi shumë të fortë. Ata kanë skuadra tepër të organizuara dhe vihen të gjithë në ndjekje të topit. Të gjithë e kanë punën pisk, kur duhet të maten me një skuadër angleze. Lloji i futbollit, që zhvillohet prej tyre, luhet vetëm në Premier Ligë. Ata mbrojnë me mish e me shpirt, sikur jetët e tyre të vareshin nga ajo. E këtë e bëjnë me sukses. Në rast se nuk do t'u ishte dashur të luanin kundër njëratjetrës, në fazat e mëparshme, fare mirë mund të kishte pasur katër klube angleze në gjysmëfinale. Mua më duket se skuadrat angleze kanë më shumë për të dhënë. Thjesht, ndiej se është për të ardhur keq që futbolli i tyre nuk është më i bukuri për t'u parë."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›