Vrau kunatin për hakmarrje, nis gjyqi ndaj 67-vjeçarit
Hasan Onuzi gjykohet për vrasjen e Jeart Dokut, të cilin e akuzonte për vrasjen e dy fëmijëve
TIRANË- Prokuroria e Tiranës dorëzon në gjykatë dosjen penale kundër të pandehurit 67-vjeçar, Hasan Onuzi, i cili pak muaj më parë vrau në mes të kryeqytetit kunatin e tij, në shenjë hakmarrje për zhdukjen e djalit dhe vajzës së tij. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Hasan Onuzi ka konsumuar veprën penale të "vrasjes me paramendim" ndaj shtetasit Jeart Doku, me motivin se ai kishte "gisht" për vrasjen dhe zhdukjen e dy fëmijëve të tij. Pritet që me dorëzimin e dosjes pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, kryesekretarja e kësaj gjykate të hedhë në short elektronik dhe të caktojë treshen gjykuese që do të shqyrtojnë çështjen. Sipas kërkesës për gjykim, plaku nga Kukësi nuk ka shprehur pendesë në lidhje me krimin e kryer, duke e quajtur hakmarrje për vrasjen e djalit dhe zhdukjen e vajzës së tij. Sipas akuzës kunati i plakut 67- vjeçar, viktima Jehart Doku jetonte prej vitesh në Itali. Ai merr atje mbesën e së shoqes, Albanën në vitin 1998, ku sipas babait të saj dyshohet të jetë shfrytëzuarpër prostitucion dhe më pas është zhdukur. Për shumë vjet, Albana Onuzi nuk kontaktoi me familjen e saj dhe për këtë ajo rezulton e zhdukur. Për humbjen e gjurmëve të saj, Hasan Onuzi fajësonte kunatin e tij, Jeart Dokun. Sipas Onuzit, kunati i tij kishte bashkëpunëtorë në Itali me të cilët i ka zhdukur të bijën. Doku nuk e pranoi asnjëherë akuzën e hedhur nga familja e nuses së tij. Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2004, Hasan Onuzi njoftohet për vrasjen e djalit të tij, Jetmir Onuzi në Itali. Trupi i tij varroset në Shqipëri ndërsa vrasja mbeti pa autor. Sërish akuzat iu drejtuan Dokut, të cilin Hasan Onuzi e vrau pak muaj më parë në Tiranë.