Mjekët- Berishës: Shëndetësia në mjerim, jemi të kërcënuar
Profesorët e Fakultetit të Mjekësisë i kanë paraqitur Kryeministrit 6 kërkesa për të reformuar sistemin shëndetësor
Mjekët- Berishës: Shëndetësia në mjerim, jemi të kërcënuar
Sistemi shëndetësor është në mjerim dhe kjo po rrezikon seriozisht jetën e popullatës. Alarmin e dhanë vetë profesorët e shëndetësisë, dje, të cilët i janë drejtuar Sali Berishës me një letë të hapur për të ndërhyrë në mënyrë emergjente për përmirësimin e situatës. Kështu, Këshilli i Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë i është drejtuar Kryeministrit me 6 kërkesa konkrete për të reformuar sistemin shëndetësor. "Cilësia e shërbimit ndaj të sëmurëve ka rënë aq shumë saqë është krijuar një frymë mosbesimi nga të sëmurët ndaj mjekëve dhe ne ndihemi të fyer, të denigruar e të kërcënuar me jetën tonë",- thuhet në letrën e profesorëve drejtuar kryeministrit Sali Berisha.
Kërkesat
Kryefjala e kërkesave, është rritja e financimit në vit për çdo pacient. Kështu profesor Mihal Tase shpjegon se aktualisht, shëndetësia merr 2.9% të GDP-së në një kohë kur vetëm Ushtria përfiton 2 për qind të saj. "Propozimi ynë konkret është që të shkojë 6% e GDP-së, pra nga 80 euro në vit që është për banor, të arrijë të paktën 350-400 euro në vit për banor",- pohon Tase duke shtuar se edhe kjo është e mjerueshme, pasi është e pamjaftueshme, por do të përmirësonte disi situatën. Ndërsa kërkesa e dytë e Këshillit të Profesorëve ka të bëjë pikërisht me autonominë e sistemit shëndetësor dhe drejtimin e tij nga profesionistë të shëndetësisë, që të mos zgjidhen me partitokraci, por të vijnë nga radhët e mjekëve të aftë. Gjithashtu ata kërkojnë politika të qarta dhe financim të formimit të vazhdueshëm, i cili aktualisht lëngon dhimbshëm. Si rrjedhojë e kësaj, profesorët theksojnë se rrezikohet humbja e kualitetit bazë të mjekëve dhe personelit tjetër mjekësor duke mbetur larg ligjeve dhe kritereve të Bashkimit Evropian. "Kërkojmë përpunim të strategjive dhe politikave nga ana e qeverisë, për përmirësimin e klimës mes mjekëve, pacientëve dhe opinionit publik sepse ky profesion nuk mund të funksionojë në këtë klimë mosbesimi e urrejtjeje",- thuhet në letrën e profesorëve dërguar Kryeministrit, duke shtuar se është e domosdoshme të përpunohet legjislacioni bazë për mbrojtjen e mjekëve si nëpunës publikë në detyrë. Ndërsa në kërkesën e fundit, thuhet se të gjitha reformat dhe strategjitë në fushën e shëndetit, nuk mund të jenë të suksesshme duke shpërfillur dhe anashkaluar konsultimet me stafin e Profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë.
Kërkesat
1 Rritje të financimit të sistemit shëndetësor me 6% GDP-së
2 Autonomi të sistemit shëndetësor dhe drejtim nga profesorët
3 Zgjedhja e një modeli për sigurimet shëndetësore si një ent publik dhe transparent
4 Politika të qarta dhe financim i formimit të vazhdueshëm të mjekëve
5 Përpunim i strategjive dhe politikave nga qeveria për përmirësimin e klimës mes mjekëve dhe pacientëve
6 Të mos anashkalohen konsultimet me stafin e profesorëve për reformat dhe strategjitë në shëndetësi
Komisioni parlamentar i Shëndetësisë është përfshirë dje nga debatet e ashpra mes drejtuesve të institucioneve dhe profesorëve
Shëndetësia, fushë -beteje në komisionin parlamentar
Fejzi Braushi
Komisioni parlamentar i Shëndetësisë është kthyer dje në arenën e ballafaqimit të akuzave dhe kundër akuzave midis drejtuesit politikë të sistemit mjekësor, Profesoratit dhe drejtuesve të institucioneve zbatuese të këtij sistemi. Për afro 2 orë, në prani dhe të deputetëve të këtij komisioni, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, dekani i Fakultetit të Shëndetësisë, Alfred Priftanji dhe drejtori i maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" Halim Kosova kanë debatuar lidhur me problematikën kryesore që mbart sot sistemi i shëndetësisë në vend. Mungesa e barnave, procedurat e vështira burokratike për blerjen e tyre, pamundësia financiare për blerjen e pajisjeve moderne mjekësore, si dhe largimi i specialistëve drejt mjekësisë jopublike ishin çështjet kryesore për të cilat, të pranishmit në këtë mbledhje të posaçme, ngritën dhe debatet më të mëdha. Ka qenë drejtori i QSUT-së, Mati Pepa ai që ka hapur debatin, duke kërkuar mbështetje financiare dhe një strategji të qartë menaxheriale të spitaleve në vend. Por për dekanin e Mjekësisë, Alfred Priftanji, problematika në mjekësi nuk ka të bëjë vetëm me mjetet apo logjistikën. Sipas tij, Profesorati, nga studimet e bëra vlerëson se sistemi i shëndetësisë në vend ka nevojë për një reformë të thellë, e cila nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me mjetet apo logjistikën mjekësore. Reforma për të duhet të fillojë që nga siguria e mjekëve në spitale dhe hartimi i politikave të duhura, për të stimuluar dhe mbajtur mjekët specialistë në shërbimin spitalor. Ndërsa Ndoka ka bërë një prezantim të sistemit shëndetësor gjermano-anglez që kërkohet të aplikohet në Shqipëri, dekani Priftanji e ka akuzuar atë se nuk ka arritur që të bashkëpunojë me Profesoratin dhe se shpeshherë është përpjekur që t'i sulmojë ata. "Nuk është problemi i Ligjit të Arsimit të Lartë, nuk është problemi i feudeve të 5 shefave. Këtu problemi është shumë i thellë. Ju keni sulmuar hapur bluzat e bardha dhe nuk keni lënë mundësi për bashkëpunim me to. Më vjen keq që po kriminalizohet shëndetësia",- u shpreh Priftanji. Ndërkohë që Ndoka është mbrojtur duke theksuar se ndërhyrjet e tij kanë patur për qëllim krijimin e hapësirave për specialistët e rinj. "Unë kam kërkuar hapësira. Ju na prutë rastin e Rifatllarit dhe me këtë keni krijuar një gropë shumë të madhe. Kjo sepse shefat e pavijoneve nuk krijojnë mundësi dhe hapësira për mjekët e rinj", - u shpreh Ndoka. Natyrisht, pjesë e debatit është bërë dhe rasti i fundit i vdekjes së një pacienteje pas hemorragjisë së shkaktuar nga operimi i bajameve. Ka qenë deputetja socialiste Raimonda Stefa ajo që ka ngritur shqetësimin lidhur me papërgjegjshmërinë e mjekëve në të tilla raste. "Është turp, që një mjek bën një operacion dhe për dy ditë largohet nga pacienti, duke sjellë dhe vdekjen e tij", - u shpreh Stefa. Por për këtë çështje ajo ka gjetur kundërshtimin e ministrit Ndoka dhe kryetarit të Komisionit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, të cilët janë shprehur se raste të tilla nuk përjashtohen në mjekësi. "Një pacient mund të vdesë edhe nga një gjilpërë. Një mjek mund të shkojë të bëjë një operacion në Kanada dhe pastaj fill pas tij të ikë në Francë, pa e ditur më se ç'bëhet me pacientin", - u shpreh Shehu.
Mati Pepa:
Në Shqipëri ka hapësira të pakta të menaxhimit spitalor. Nuk ka shkolla menaxhimi spitalor. Struktura e organizimit spitalor është e trashëguar dhe në shumë raste nuk i përputhet zhvillimeve kapitaliste.
Alfred Priftanji:
Problemi kryesor për bluzat e bardha është siguria në spitale. Rasti i doktor Aliut, tregon se sa të rrezikuara janë jetët e mjekëve. QSUT duhet të bënte Statusin e vet. Këshilli Administrativ nuk duhet të drejtohet nga ministri, pasi kërkohet drejtim dhe jo administrim.
Halim Kosova:
E dëgjova fjalën e Drejtorit të QSUT dhe mendoj se menaxhimi nuk është çështje prioritare në sistemin e shëndetësisë. Ka shumë probleme të tjera, të cilat duhet të përmirësohen.
Raimonda Stefa:
Kjo qeveri nuk ka vullnet politik për të bërë këtë reformë. Në QSUT nuk ka vetëm probleme menaxheriale, por më shumë ka probleme shëndetësore që nga specialistët, barnat, teknologjia, aparaturat, etj. Është turp, që një mjek bën një operacion dhe për dy ditë largohet nga pacienti, duke sjellë dhe vdekjen e tij.
Tritan Shehu:
Një pacient mund të vdesë edhe nga një gjilpërë
Rajmonda Stefa:
Por jo të vdesë nga pakujdesia e mjekut, i cili pasi operon, shkon për pushime, pavarësisht se si është gjendja e pacientit.
Tritan Shehu:
Një mjek mund të shkojë të bëjë një operacion në Kanada dhe pastaj fill pas tij të ikë në Francë, pa e ditur më se ç'bëhet me pacientin.
Alfred Priftanji:
Problematika është shumë më e gjerë se kaq. Nuk është problemi i Ligjit të Arsimit të Lartë, nuk është problemi i feudeve të 5 shefave. Këtu problemi shumë i thellë. Ju keni sulmuar hapur bluzat e bardha dhe nuk keni lënë mundësi për bashkëpunim me to. Më vjen keq që po kriminalizohet shëndetësia.
Nard Ndoka:
Unë kam kërkuar hapësira. Ju na prutë rastin e Rifatllarit dhe me këtë keni krijuar një gropë shumë të madhe. Kjo sepse shefat e pavijoneve nuk krijojnë mundësi dhe hapësira për mjekët e rinj. Unë, përkundrazi, jam përpjekur që të dal në mbrojte të tyre.
Alfred Priftanji:
Kjo nuk është e vërtetë. Ju më kërkoni takim dhe nga ana tjetër, sulmoni bluzat e bardha.
Nard Ndoka:
Unë jam politikan dhe nuk jam mjek. Unë kujdesem dhe drejtoj për politikat shëndetësore. Ju keni krijuar një sistem të tillë, që po të mungojë një mjek apo një shef pavioni, në atë spital nuk bëhet më punë, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta, i duhet krijuar hapësira e duhur të gjithë të rinjve.
Alfred Priftanji:
E keni gabim. Ata janë profesionistët e vetëm. Iku shefi i Kirurgjisë së Dorës dhe s'ka më njeri që ta bëjë atë. Unë ju pyes zoti Ministër a keni më kirurg dore? Kjo rrezikon të mbyllet. Në mënyrë të përsëritur, shefat denigrohen. Ata janë pasuri kombëtare dhe për këtë duhet të ruhen nga shteti. Keni aq pak shefa, sa duhet t'i vlerësoni dhe t'i mbani. Edhe në kohën e Enver Hoxhës ata nuk janë përdorur kështu. Edhe pse mund të konsideroheshin armiq për çështje ideologjike, ata i kanë futur në punë dhe i kanë vlerësuar si mjekë.
Operacioni i mjekut të plagosur, jo profesional. I qepën dorën, por jo nervat
Kirurgu Refatllari, "viktimë" e operimit të kolegëve të tij
TIRANË- Mungesë e theksuar e specialistëve të mirëfilltë të shëndetësisë e si pasojë edhe gabime mjekësore, që shpesh kanë sjellë dëme të parikuperueshme në kurriz të pacientëve. Madje edhe shefi i shërbimit të Kardiokirurgjisë, Ali Refatllari ka qenë viktimë e kolegëve të tij joprofesionistë. Ky problem është deklaruar dje në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, ku vetë profesorët e kanë pohuar këtë problem. Sipas tyre, sistemi shëndetësor është në gjendje tepër të rënduar, pasi aktualisht ka vetëm 40 specialistë të mirëfilltë në rang Republike. Referuar pikërisht problemit të largimit të specialistëve, profesorët theksuan se, sot, në spitalet shqiptare ekziston një nivel shumë i ulët profesional. Për të ilustruar këtë fakt, ata sollën në vëmendje të komisionit dhe vetë ministrit Ndoka, rastin e mjekut Ali Refatllari, i cili disa javë më parë u godit me thikë nga i afërmi i një pacienti. Sipas tyre, Refatllari u operua nga një kolegu i tij dhe për rrjedhojë, si pasojë e ndërhyrjes kirurgjikale u arrit që të qepej plaga e hapur, por jo nervat. "Sistemi që kemi është i pafuqishëm për përballimin e zhvillimeve, prandaj kërkohen specialistë të mirëfilltë dhe për këtë shteti duhet të luajë një rol kyç. Natyrisht, për të bërë këtë reformë duhen investime, sepse reforma nuk mund të realizohet pa to",- pohon dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Priftanji. Ndërkohë profesorët kanë ritheksuar se doktor Refatllarit i qepën dorën, por jo nervat, por këtë mjekët nuk e kanë bërë se donin t'i bënin keq, por sepse aq është kapaciteti i tyre. Ky, sipas profesorëve, është shembulli më tipik për të treguar se çfarë niveli të ulët ka sistemi ynë shëndetësor në vend, aq më shumë kur bëhet fjalë për një qendër të madhe spitalore. Largimi i kuadrove mjekësore, sipas profesorëve, ka rrëzuar sistemin. Ndërkohë mësohet se doktor Ali Refatllari po mjekohet në Paris dhe javës tjetër pritet të rikthehet pranë shërbimit të tij në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", për të vazhduar aktivitetin e tij si kirurg.