E Shtunë, 31 Tetor 2026

I biri i Fritzl kishte çelësat e kantinës

Një prej djemve që Joseph Fritzl ka pasur me gruan e tij Rosemaria kishte çelësat e kantinës ku babai- mostër mbante të fshehur të bijën e tij Elisabet si dhe disa nga 6 fëmijët që ai pati me të në 24 vitet e horrorit.

Lajmin e ka bërë të ditur një e përjavshme gjermane ‘Der Spiegel’, duke ju referuar një banori të pallatit, komshi me familjen Fritzl. “Ai sillej si administrator i pallatit, por asnjëherë nuk e bënte atë punë që kishte marrë përsipër” – thotë për  ‘Der Spiegel’ burri Christian B, i cili ka jetuar në atë pallat në fillim të vitit 2000. Megjithatë fakti që i biri ligjor i Fritzel ka patur çelësat nuk vërteton nëse kishte dijeni për ngjarjen – thuhet në gazetën gjermane.

Joseph Fritzl, ka patur 7 fëmijë të tjerë me gruan e tij Rosemaria, 5 vajza (midis të cilëve Elisabet) dhe dy meshkuj, Herald dhe Sepp.

Një nga objektivat kryesorë të policisë austriake është të zbulojë nëse Fritzl ka vepruar i vetëm gjatë këtyre 24 viteve apo ndoshta ka patur edhe bashkëpunëtorë në këtë ngjarje tragjike, të cilët e kanë ndihmuar të mos zbulohej sekreti.

 Për më tepër kaldaja e shtëpisë horror të Fritzel ndodhej në një dhomë të kantinës. Kontrolli rutinë në vitin 1999, nuk ka bërë të ditur asgjë lidhur me këtë.

Burgu i ndërtuar për tu mbrojtur nga lufta

Mendohet se ‘burgu’ ku u mbajt  Elisabet dhe tre nga fëmijët e saj të lindur nga incesti me babain – mostër Frizel, ishin ndërtuar në formë bunkerësh për tu mbrojtur nga lufta e ftohtë. Bunkeri është ndërtuar nga vetë Joseph Fritzl në shtëpinë e tij që në vitin 1984, vit kur ai drogoi dhe dënoi të bijën e tij të qëndronte në atë bunker duke mos parë dritën e diellit për 8.645 ditë.

Shtypi austriak kujton sot se si u lejua ndërtimi i bunkerëve gjatë Luftës së Ftohtë në vitet 70. Bunkerët ishin menduar të mbanin njerëz të paktën për 2 javë, pa kontakt me jashtë. Janë mijëra shtëpi, midis të cilave ajo e Fritzl të cilat kanë bunker të tillë në shtëpitë e tyre.

Kampusch jep 25 000 euro për Elisabet dhe fëmijët e saj

Natascha Kampusch, një vajzë austriake 20 vjeçare, e cila është rrëmbyer nga një i droguar që kur ishte fëmijë dhe e liruar prej tij që në vitin 2006, pas 8 vitesh ‘burg’ në një qeli poshtë tokës, ka dhuruar 25 000 euro për viktimat e incestit në Amstetten të Austrisë.

Natascha ka hapur gjithashtu një llogari korrente, duke bërë dhe apel për të gjithë njerëzit që të kontribuojnë për Elisabetën dhe fëmijët e saj.

Ngjarja

Austri, ADN konfirmon atësinë e babit -mostër

Analizat e ADN-së kanë vërtetuar përfundimisht se babai mostër Josef Fritzl, 73 vjeçari austriak, është babai natyral i gjashtë fëmijëve të ardhur në jetë nga e bija e tij Elisabet, e cila është burgosur dhe përdhunuar nga i ati në kantinën e shtëpisë për 24 vjet rresht.Tre fëmijë të lindur nga ky incest, janë rritur nga Fritzl dhe gruaja e tij, pasi “qanin shumë” dhe kjo gjë rrezikonte të zbulonte jetën e tij të dyfishtë. Tre të tjerët kanë qëndruar në kantinë sëbashku me të ëmën e tyre, që sot është 42 vjeç.

Gjykata ka ngritur akuzën ndaj Fritzl. Ndaj tij rëndon jo vetëm vepra penale e incestit dhe sekuestrimit të personit por edhe ajo e fshehjes së gjurmëve të një njeriu të vdekur. Një prej shtatë fëmijëve të lindur nga incesti me të bijën e tij, ka vdekur pas lindjes dhe ai e ka fshehur këtë. Sipas mjekëve fëmija mund të ishte shpëtuar nëse do të ndodhej në spital.

Burri është vizituar pardje te një psikolog, dhe si për çudi pamje e tij ka qenë shumë e qetë dhe normale.

Gjithashtu policia ka filluar procedurat për ti dhënë lirinë dhe për të rehabilituar Elisabetën. Si u zbulua?Vajza e Elisabet, Kerstin, 19 vjeç, e cila jetonte në kantinë, kishte shfaqur probleme shume te renda shendetesore dhe Babi-gjysh eshte detyruar te çoje vajzen ne spital vetëm kur kishte humbur koshiencën. Ai ka thënë se e bija e tij Elisabet ishte zhdukur me një sekt fetar satanai, por i kishte lënë atij të drejtën për tu kujdesur për vajzën.

Në një letër të shkruar nën presionin e të atit, Elisabet shpjegonte sëmundjen dhe shqetësimet e vajzës.

Por sëmundja e rëndë e Kerstrinës kërkonte patjetër që në spital të paraqitej e ëma. Duke qenë se mbijetesa e Kestrinës varej nga ajo, Elisabet i është lutur të atit që ta linte të shkonte në spital, për herë të parë pas 24 vitesh. Pamja e një gruaje të vuajtur dhe shikimi i saj i habitur, kanë rënë në sytë e personelit të spitalit të cilat kanë thirrur policinë. Elisabet është marrë menjëherë nga agjentët e policisë, duke treguar kështu edhe historinë e saj të tmerrshme.

Gjashtë fëmijët dhe nëna e Elisabetës Rosemaria, e cila nuk dinte asgjë se çfarë ndodhte në katin e poshtëm të shtpisë, takohen për herë të parë në spital.

Këtu  ‘fëmijët e kantinës’, Kestrin, Stefan 18 vjeç dhe Felix 5 vjeç, kanë njohur për herë të parë vllezërit dhe gjyshen (Aleksandër 12 vjeç, Lisa 16 vjeç dhe Monika 15 vjeç).

Rosemaria ka përqafuar të bijën, të cilën e shikonte 24 vjet më pas. “Ka qenë një takim shumë prekës” – ka treguar presidenti i spitalit. Duke parë rrethanat, fëmijët kanë patur një ndryshim rrënjësor.

Për të gjithë fillon tani periudha e gjatë e terapisë psikologjike, për ti bërë ballë traumës dhe për ti ingranuar në jetën normale.

Të tre fëmijët që janë rritur në kantinë kanë edhe shqetësime fizike dhe vështirësi në të shprehur. Për ata mendohet të bëhet edhe një ndryshim emri. “Është një skuadër ekspertësh që po merret me këtë familje” – ka thënë drejtori i spitalit në një konferencë shtypi.

Situata është shumë e vështirë për Kerstin, vajzën 19 vjeçare, e cila ndodhet në rrezik për jetën. “Në orët e fundit situata e vajzës duket e përmirësuar dhe ka motiv për të shpresuar” – tha drejtori i reanimacionit Albert Reiter.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›