E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 18 klandestinë, prangoset kapoja i trafikut



SARANDË – Rishfaqet sërish trafiku klandestin në rrethin e Sarandës, pas tragjedisë së ndodhur dy javë më parë në Butrint. Tetëmbëdhjetë klandestinë dhe sekseri i tyre janë ndaluar dje nga forcat e policisë vendore në tentativë për të ikur në mënyrë klandestine në Greqi. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se dje në mëngjes u ndalua shtetasi Luan Ndoka, banues në rrethin e Lezhës, pasi u kap në flagrancë duke iu dhënë ndihmë disa shtetasve të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit në qytetin e Sarandës, për kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Në bazë të marrëveshjes se lidhur më parë me sekserin e trafikut, klandestinët do të paguanin shumën nga 500 deri në 800 euro kundrejt kalimit për në territorin e shtetit fqinj. Shuma ishte e ndryshme, pasi varej nga destinacioni i tyre. Ndaj 25-vjeçarit Ndoka nisi procedimi për veprën penale “favorizim për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt përfitimit”. Ky rast i tentativës së kalimit ilegal të kufirit në mënyrë të organizuar ndodh dy javë pas ngjarjes së 19 tetorit, kur ndodhi tragjedia e Butrintit. Në ujërat e liqenit, gjatë transportit të klandestinëve, për t’i shpëtuar postbllokut të policisë, humbën jetën 5 shtetas. Mësohet se është hera e parë që policia bllokon një grup klandestinësh që në fazën e organizimit të tij.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›