Plagoset mësuesja, bie suvaja nga tavani në mes të klasës
KURBIN – Cilësia e dobët e punimeve në shkolla për pak sa nuk ka shkaktuar një tjetër tragjedi në Laç, pas asaj që ndodhi disa muaj më parë në Tiranë. Një mësuese e klasës së katërt të shkollës 9-vjeçare në fshatin Shullaz të rrethit të Kurbinit ka mbetur e plagosur rëndë, pasi u godit nga një masiv betoni që u shkëput nga tavani.
Situata ka qenë alarmante, pasi nxënësit janë terrorizuar dhe kanë nisur ulërimat, por për fat nuk janë regjistruar të lënduar mes tyre. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se ngjarja është regjistruar dje dhe ka mbetur e plagosur shtetasja Nexhmije Ahmeti. Arsimtarja 40-vjeçare ka qenë duke shpjeguar mësimin në mes të klasës, ku ndodheshin rreth 30 nxënës, kur befas tavani është shkëputur dhe ka zënë poshtë mësuesen. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, ajo ka marrë dëmtime të konsiderueshme dhe është përcjellë me urgjencë në spital. Nxënësit e klasës kanë dalë jashtë të përfshirë nga paniku, ndërkohë që është njoftuar edhe policia. Mësuesja Nexhmije Ahmeti është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ndërkohë mjekët e spitalit bëjnë të ditur se e plagosura është në kujdesin e bluzave të bardha dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave të para mësohet se shkak është bërë gjendja e amortizuar e shkollës, por për të dhënë detaje do të pritet ekspertiza që do të bëhet në vendin e ngjarjes nga grupi i ekspertëve. Në hetim do të merret edhe kompania që ka kryer ristrukturimin e mjediseve të shkollës së fshatit Shullaz. Sipas të dhënave, shkolla e fshatit Shullaz është rindërtuar rreth 14 vjet më parë. Që nga ajo periudhë dhe deri më tani nuk janë kryer punime. Disa muaj më parë, teksa po kryheshin punimet për ristrukturimin e shkollës së mesme profesionale të Turizmit në Tiranë, u shemb një masiv betoni, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve. Një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe në rrethin e Korçës gjatë këtij viti. Ndonëse janë dhënë shumë fonde nga buxheti i shtetit për ristrukturimin e shkollave në vendin tonë, shumë prej tyre kanë kushte skandaloze.
BOX 1
Dhunon mësuesin, nis hetimi ndaj 46-vjeçarit
DURRËS – Një 46-vjeçar është vënë nën hetim pasi ka dhunuar mësuesin e fëmijës së tij. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se shtetasi Naim Ismaili po hetohet në gjendje të lirë. Ai akuzohet se për shkak të detyrës ka goditur një mësues të shkollës 9-vjeçare të fshatit Jubë në këtë rreth. Sipas policisë, më datën 1 nëntor 2008 është bërë një kallëzim pranë Komisariatit të Policisë së Shijakut nga një mësues i shkollës 9-vjeçare të këtij fshati. Ky i fundit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, pretendon se rreth orës 13:00 të asaj dite është ofenduar dhe më pas qëlluar me grushte nga Naim Ismaili, lindur e banues në fshatin Jubë, komuna Katund i Ri. Nga ana e policisë janë kryer veprimet e para hetimore ndaj Ismailit, i cili do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”. Policia tha edhe se po punohet për shoqërimin e këtij personi dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, kurse dosja hetimore i ka kaluar Prokurorisë së Durrësit.
Vetëhelmohet 18-vjeçarja, piu fostoksinë në gjendje depresive
KURBIN – Pas një periudhe depresive, një adoleshente i ka dhënë fund jetës duke pirë fostoksinë. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në qytetin e Laçit, ndërkohë që vajza ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak, në kryeqytet, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas tyre, viktima është shtetasja me inicialet F. C., banore në Lagjen Nr. 4 të qytetit të Laçit. “18-vjeçarja nuk ka mundur dot t’i shpëtojë vdekjes, edhe pse ndërhyrja që i është dhënë ka qenë e menjëhershme”, - thanë burime nga spitali, duke sqaruar se shkak për humbjen e jetës është bërë sasia e konsiderueshme e helmit që kishte gëlltitur adoleshentja. Burimet policore pohojnë se kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e ngjarjes. Janë marrë në pyetje familjarët, por ende nuk ka të dhëna për arsyet që e shtynë vajzën t’i jepte fund jetës. Familjarët kanë deklaruar se janë të befasuar nga veprimi i saj. Vajza u gjet në gjendje të rëndë nga familjarët e saj brenda në shtëpi dhe më pas u dërgua me urgjencë në spitalin e qytetit. Për t’i dhënë ndihmë mjekësore më të specializuar, ajo është dërguar në kryeqytet, por edhe pas ndërhyrjes së mjekëve të Spitalit Ushtarak, 18-vjeçarja nuk mundi të jetonte. Sipas burimeve policore, për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe shkaqet e vdekjes janë përfshirë edhe ekspertë të mjekësisë ligjore.
4 Nentor 2008