Bllokohen 194 kg marijuanë, ndalohen 3 persona e 1 mushkë
GJIROKASTER – Dy aksione antidrogë të Policisë së Gjirokastrës bllokuan për herë të parë këtë vit 194 kg lëndë narkotike. Droga kishte për destinacion Greqinë, njëra nga kufiri jugor, ndërsa tjetra nga ai juglindor. Në rastin e parë u gjet vetëm mushka me çantat e drogës, pasi autorët mundën të shpëtonin, ndërsa brenda 3 orësh u kapën 3 persona, duke trafikuar drogë Lazarati drejt Korçës. Sipas policisë së Gjirokastrës, një mushkë e ngarkuar me afro 96 kg marijuanë u bllokua mbrëmjen e së shtunës në afërsi të kufirit me Greqinë, në fshatin kufitar Pepel të Komunës Dropulli i Sipërm. Njësiti i shërbimit të Policisë Kufitare gjatë vëzhgimit me kamera termike të vijës kufitare, ka hasur dy persona të maskuar, të cilët po transportonin me një kafshë disa çanta shpine. Pasi është afruar në drejtim të njerëzve që qarkullonin me mushkë, njësiti policor, u ka bërë thirrje të qëndronin. Në këtë moment, dy personat janë larguar me shpejtësi në drejtim të kodrës, duke pasur si favor errësirën dhe motin me shi të rrëmbyeshëm. Për të kapur personat që tentonin të kalonin marijuanë në Greqi, u angazhuan edhe 40 forca policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë, duke kryer rrethimin e zonës por nuk kanë mundur dot pasi transportuesit mendohet të jenë larguar drejt Greqisë. Pa përfunduar aksioni i kapjes së 96 kg marijuanë, një tjetër sasi narkotike është kapur nga Policia e Gjirokastrës në orët e para të së dielës. Tre persona të cilët kanë qenë transportuesit e një sasie prej 98 kg marijuanë me destinacion Korçën u arrestuan. Kapja e tyre është bërë në orët e para të mëngjesit në aksin nacional në brendësi të qytetit të Gjirokastrës, kur qarkullonin me mjetet nga fshati Lazarat në drejtim të veriut të qytetit. Në furgonin me targa të Korçës 7149 A, i cili drejtohej nga Elton Hodallari, gjendej sasia narkotike e cila kishte qenë e fshehur në një zonë pas sediljes së shoferit, e salduar me fletë llamarine duke mos rënë në sy. Ndërkohë që furgoni shoqërohej në largësi duke mos rënë në sy nga Gerti Miho dhe Erijon Latka, të cilët udhëtonin me automjetin tip BMË me targa të Korçës 6826 A. Droga ishte siguruar në Lazarat dhe tentohej të kalohej drejt Greqisë përmes vijës kufitare me Korçën. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.