Bllokohen 25 automjete, gjobiten 150 drejtues
17/12/2009 Aksioni do të vazhdojë
KORÇE- Gjatë ditës së mërkurë, pa llogaritur orët e vona të pasdites, nga Policia e Qarkullimit Rrugor e qarkut Korçë u bllokuan mbi 25 automjete dhe u vendosën më shumë se 150 gjoba ndaj drejtuesve të mjeteve. Në fokus të këtij aksioni kanë qenë automjetet me targa të huaja, dokumentacioni ligjor i drejtuesve të automjeteve, shpejtësia tej normave të lejuara, vendosja e rripit të sigurimit apo kaskave mbrojtëse, ndriçimi me dritat jo verbuese, gabimet në parakalim, çka do të thotë zbatimin korrekt të të gjitha kërkesave të Kodit të Qarkullimit Rrugor. Aksioni i nisur që në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë do të jetë prezent edhe në ditët në vijim, aq më shumë që tashmë numri i automjeteve, me kthimin e emigrantëve në vendlindje, po rritet ndjeshëm nga dita në ditë. Gjithçka synon parandalimin e aksidenteve dhe bllokimin e automjeteve pa dokumentacion apo të dyshuara si të vjedhura. Në krye të këtij operacioni ka qenë kryekomisar Ali Yzeiri. Në lidhje me këtë operacion, Yzeri u shpreh, se gjithçka u realizua në bashkëpunim me njësinë teknike operacionale të Drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor të Drejtorisë së Policisë së qarkut Korçë. “Ekipet e kontrollit, tha Yzeiri, u shtrinë jo vetëm në qytetet e këtij qarku, si në Korçë, Bilisht, Pogradec dhe Ersekë, por edhe në të gjitha rrugët kryesore nacionale që lidhin këto qytete me rrethet e tjera të vendit. Kjo gjë bëri të mundur që të viheshin nën kontroll jo vetëm drejtuesit e automjeteve të qarkut Korçë, por edhe të drejtuesve që vinin nga rajone të tjera të vendit. Nga kontrollet e ditës së mërkurë rezultoi se mjaft automjete nuk kishin dokumentacionin e plotë ligjor, çka solli dhe bllokimin e më shumë se 25 automjeteve, ku midis tyre ka edhe automjete me targa të huaja, ndërsa u vendosën më shumë se 150 gjoba. Nuk do të tolerohet ndaj askujt që thyen rregullat e qarkullimit”.
Edhe në ditët në vijim në qendër të vëmendjes do të jetë dokumentacioni ligjor, dhe zbatimi i rregullave të Kodit të Qarkullimit, çka do të thotë se përveç vendosjes së gjobave do të merren masa deri në pezullimin e automjeteve apo dhe bllokimin e tyre.