Dako heq dorë nga KRRT e Bashkisë së Durrësit
17/12/2009 Katër anëtarët e emëruar nga prefekti Alizoti mbështesin koalicionin PD-LSI
DURRES- Është vështirësuar edhe më tej pozicioni i kryetarit të Bashkisë së Durrësit me ndryshimet e fundit në përbërjen e Komisionit të Rregullimit të Territorit. Propozimet e kryetarit Vangjush Dako si dhe kartonët e anëtarëve të grupit të majtë kanë qenë fare pak për të vendosur në këto ndryshime të ardhura pas emërimit të prefektit të ri. KRRT ka gjithsej 15 anëtarë dhe 4 prej tyre janë emërtim nga institucioni i prefektit. Për shkak të aleancës qeverisëse PD-LSI prefekti i emëruar nga radhët e Metës në Durrës, Genc Alizoti ka dërguar për miratim emra që kanë fituar mbështetje edhe në grupin e PD-së. Një veprim i tillë i paralajmëruar kohë më parë, por i votuar vetëm para një dite në Këshillin Bashkiak, ka ngushtuar së tepërmi hapësirën e kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, i cili do të ndeshet me shumicë tjetër në këtë komision nga deri më tani.
“Dorëheqja”
Ndryshimet e numrave së fundi kanë shtyrë Dakon të “heqë” dorë nga kontrolli lidhur me dhënin e lejeve të ndërtimit dhe lejeve për shesh ndërtimi. Tre anëtarë të KRRT-së kanë qenë aty që nga viti 2004 për t’u zëvendësuar me të rinj pas mbarimit të mandatit të tyre. E djathta dhe aleatët e tyre të LSI-së kanë mundur të bëjnë ujdi para se të fillonte takimi i këshillit. Ardian Muka dhe Mimoza Hysi specialistë në sektorin e ndërtimit dhe urbanistikës janë propozuar nga PD, kurse Ardian Zhamo nga LSI. Në Këshillin e Bashkisë të përbërë me 45 anëtarë shumica ka kaluar tashmë në anën e PD-së dhe aleatëve të saj, të cilët kontrollojnë 30 mandate. Një shifër e tillë i ka sjellë jo pak telashe kryetarit të bashkisë pasi atij tani do i duhet të ndërmarrë nisma, projekte dhe vendime të kujdesshme për të mos u kundërshtuar nga shumica në këshill. Ndryshimi i raporteve politike edhe në KRRT ka krijuar situatë të vështirë për klanet që synojnë të diktojnë në sektorin e privatizimit, shpronësimeve të trojeve e tokave për qëllime publike, vendimeve për leje ndërtimi dhe leje sheshi ndërtimi etj. Humbja e kontrollit të shumicës në Këshillin e Rregullimit të Territorit pritet të pasojë me të tjera apelime e zhvillime. Kryetari i bashkisë i vënë përballë shifrave dhe fakteve ka afruar propozimet e tij për 3 anëtarët që do të zëvendësonin anëtarët e KRRT së kohës së Lefter Kokës. Për të joshur të djathtët Dako ka vendosur në listë edhe emrin e një eksponenti të PD Hajdar Kovaçi dhe pas tij Erka Jorgo dhe Agim Koçi. Asnjë nga kandidatët e Dakos nuk ka marrë më shumë se 20 vota, kurse propozimet e aleancës PD-LSI kanë marrë respektivisht 27 vota Ardian Muka, 25 vota Mimoza Hysi dhe 27 vota Ardian Zhamo. Që nga ky çast e në vijim PD dhe aleatët e saj në këshill kanë 8 kartonë, të cilat përbëhen nga 4 të zgjedhurit e prefektit të Durrësit, një specialist i mjedisit tre anëtarët e sapozgjedhur me vendim të Këshillit Bashkiak. Të propozuarit nga Dako dhe PS kanë marrë respektivisht 20 vota Hajdar Kovaçi, 14 vota Erka Jorgo dhe 17 vota Agim Koçi. Bashka ka një sërë projektesh në departamentin e urbanistikës në pritje të vendimit për anëtarët e KRRT, të cilët do të kalojnë një nga një në dorë të gjitha dosjet. Të tre anëtarët e rinj të votëbesuar një ditë më parë nuk janë anëtarë të Këshillit të Bashkisë dhe as punonjës të administratës. Një fakt i tillë u ka dhënë më shumë “pushtet” anëtarëve të rinj, të cilëve u janë krijuar të gjitha kushtet për të gjykuar drejt në vendimmarrje.