Porti i Durrësit, mbërrijnë 5400 udhëtarë nga Italia
17/12/2009 Pesë tragete shënojnë nisjen e fluksit për Krishtlindje
Moti i keq nuk sjell probleme në përpunim. Masa në kontrolle
DURRES- Ka nisur të ndihet në mënyrë të dukshme nisja e fluksit të ardhjes së emigrantëve tanë në portin e Durrësit për festat e fundvitit. Vetëm ditën e martë janë përpunuar 5 tragete me kapacitetet të ndryshme nga ku janë përpunuar 4500 emigrantë si dhe 1100 mjeteve. Moti me reshje të dendura, erë të fortë dhe herë pas here me stuhi detare nuk ka sjellë ndonjë problem për tragetet. Si gjithnjë në ditë të tilla me det deri në 5 ballë dhe erë me shpejtësi 15-20 m në sek. Vonesat janë vërejtur në linjën e largët Ankona-Durrës. Autoriteti portual dhe kapiteneria e portit kanë vendosur kontroll të plotë së bashku me Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit. Masat shtrënguese janë dukur në hyrjet e daljet në pikat e portit si dhe në gatishmëria në terminalin e trageteve. Autoritetet e portit kanë bërë të ditur se fluksi i madh për Krishtlindje dhe më pas për Vitin e Ri do të nisë ditën e shtunë për të vijuar deri më 30 dhjetor, ndërsa kthimi do të regjistrojë numër të madh udhëtarësh pas datës 7 janar. Agjencitë e transportit të udhëtarëve kanë shtuar prekjet e trageteve të linjave Durrës-Bari, Durrës- Ankona dhe Durrës- Trieste, ndërsa prej një viti nuk është më në linjë katamarani San Gvan. Për të përballuar fluksin, policia kufitare e portit si dhe dogana është duke punuar me 12 sportele në hyrje dhe 2 në dalje, ndërsa ka rritur numrin e agjentëve doganorë. Gjatë ditëve në vijim pritet që porti i Durrësit të përballet me një fluks edhe më të madh emigrantësh që do të kthehen në atdhe dhe sipas parashikimeve mendohet se vetëm në harkun kohor të dhjetë ditëve, nga data 19 dhjetor deri më 30 dhjetor pritet të mbërrijnë me tragete mbi 50 mijë udhëtarë. Edhe pse terminali udhëtarëve është i përkohshëm, policia ka marrë të gjitha masat për krijimin e kushteve të mjaftueshme për akomodimin e përkohshëm të udhëtarëve. Për të lehtësuar përpunimin terminali është vijëzuar si dhe janë vendosur edhe pragje apo gardhe për të orientuar lëvizjen e mjeteve, autoveturave, kamionëve dhe mjeteve të transportit të kontenierëve. Gjatë ditës së djeshme deri në orët e pasdites janë përpunuar katër tragete me 3700 udhëtarë si dhe 1070 autovetura, ndërsa në orët e mbrëmjes pritet të mbërrijnë edhe dy tragete. Në fundjavë sipas kapitanerisë do të përpunohen 7 tragete të shtunën dhe po aq të diel, ndërsa në mesin e javës tjetër kapaciteti në tragete do të jetë shumë më i madh. Porti, policia dhe kapiteneria së bashku me agjentët e doganës kanë vendosur shërbim të pandërprerë me shtesë organike për të garantuar normalitetin në terminalin e përpunimit të emigrantëve dhe turistëve.