Shembja e pallatit, Prokuroria çon në apel çështjen
17/12/2009 Procesi ndaj 7 të akuzuarve: “Nuk tërhiqemi, vendimi i parë i padrejtë”
GJIROKASTËR - Prokuroria e Gjirokastrës ka dorëzuar ditën e mërkurë në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për çështjen penale ndaj shtatë të akuzuarve për rrëzimin e një pallati pesëkatësh, rreth një vit më parë në qytetin e Gjirokastrës, ku humbën jetën tre shtetase, midis tyre një fëmijë, si dhe ngelën të pastrehë 14 familje. Burime zyrtare nga Prokuroria e Gjirokastrës, pohuan për gazetën “Metropol”, se institucioni i akuzës nuk ka ndërmend të tërhiqet nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit Gjirokastrës, kjo për shkak se ngjarja 9 nëntorit të vitit të kaluar ka pasur tri viktima dhe vendimi i gjyqësorit ishte tepër i ulët, duke e krahasuar me kryerjen e veprës penale. Prokuroria e Gjirokastrës tha se, përveç cilësimit ligjor për të pandehurin kryesor të ngjarjes, vendimi për sa i përket fajësisë së tre zyrtarëve të bashkisë, të ngarkuar me mbikëqyrjen e punimeve të ndërtimit është i padrejtë.
Një ditë pas përvjetorit të parë të shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen "11 Janari”, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi, Desad Avdulaj, shpalli të pafajshëm tre nga shtatë të akuzuarit si shkaktarë të tragjedisë, me argumenti për mungesë provash, si dhe dënoi gjithsej me 12.6 vjet burg e 1.5 milionë lekë gjobë katër të akuzuarit e tjerë.
Ndryshe nga pretenca e dhënë nga Prokuroria së Gjirokastrës, ku kërkoi 38 vjet burg dhe 2.4 milionë gjobë, administratori i firmës "Arti" sh.p.k., Sotiraq Janora, u dënua me 6 vjet burg, Afërdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT së Bashkisë Gjirokastër u dënua me 2.6 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, Admir Shehaj, ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit pranë Bashkisë së Gjirokastrës u dënua me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, ndërsa Gjergji Meçi inxhinieri i firmës u dënua 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë. Gjithashtu, trupi gjykues ka vendosur për katër të pandehurit, heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re pranë tij.