Operacioni, në 8 muaj, kthehen 57 mijë emigrantë
Sipas drejtorit të Zyrës së Emigracionit, Nako, kanë nisur operacione të përbashkëta për kthimin e emigrantëve të paligjshëm
Shqiptarët që kanë shkelur në mënyrë të paligjshme kufijtë e shteteve të tjera nuk do të tolerohen, por do të riatdhesohen. Madje vetëm në 8 muajt e parë të vitit 2008 janë rikthyer rreth 57 mijë shqiptarë të cilët kanë kaluar në mënyrë ilegale kufijtë. Kjo u bë e ditur dje gjatë konferencës që zhvilloi IOM për çështjet e emigracionit në vendin tonë, ku u theksua se emigracioni i paligjshëm nuk do të tolerohet më.
Emigracioni
Në pamundësi për të kaluar kufijtë në mënyrë legale, mijëra shqiptarë janë të detyruar të emigrojnë në mënyrë të paligjshme. Por duket se “fshesa” ndaj këtyre emigrantëve ka qenë e pamëshirshme pasi vetë drejtori i Kufirit dhe Emigracionit, Pëllumb Nako, pohon se ka patur fluks emigrantësh të rikthyer në Shqipëri. “Rreth 57 mijë emigrantë të cilët kanë shkelur në mënyrë të paligjshme kufijtë e shteteve të ndryshme të botës, janë rikthyer sërish në vend gjatë tetë muajve të parë të vitit 2008”,- pohon Nako. Nga të dhënat e kësaj drejtorie, duket se Greqia mban vendin e parë përsa i takon spastrimit të emigrantëve ilegalë pasi rreth 44 mijë e të kthyerve janë pikërisht nga Greqia, ndërsa të tjerët i përkasin shteteve si Italia, Anglia, SHBA, Spanja apo Gjermania. Ndërkohë, bëhet e ditur se një numër i vogël emigrantësh i përket shteteve nordike, të preferuara në vitet e fundit nga shqiptarët. Këto statistika u bënë të ditura pikërisht dje nga Drejtoria e Migracionit, ku u deklaruan edhe 15 marrëveshjet e ripranimit që ajo ka nënshkruar në vitet e fundit. Në qendër të vëmendjes së strukturave përgjegjëse, sipas drejtorit Pëllumb Nako, do të jenë operacionet për rikthimin e emigrantëve të paligjshëm në vendin tonë. “Ka nisur një operacion i përbashkët për luftën kundër kalimit të emigranteve të paligjshëm”,- u shpreh drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Pëllumb Nako, duke shtuar se Shqipëria i pranon në 12 pika të kalimit kufitar emigrantët e paligjshëm të saj, ku jashtë mbeten vetëm ato të Tre Urave dhe Muriqanit. Ndërkohë specialistët e emigracionit shpjegojnë se shkaqet që nxisin emigracionin e paligjshëm janë pikërisht pamundësia për të siguruar dokumentet për të ndjekur rrugët ilegale. Madje edhe varfëria ekstreme, sipas tyre, vazhdon të jetë faktor kryesor që i nxit shqiptarët të kalojnë kufijtë në mënyrë ilegale.