E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 2.5 milionë paketa, kontrabanda 4 milionë dollarë

31/03/2005  DURRËS – Një sasi e konsiderueshme cigaresh prej 5 mijë kolish, që i ishin shmangur detyrimeve doganore e tatimore me vlerë mbi 4 milionë dollarë të futura kontrabandë, kanë rënë dje në rrjetën e ngritur nga policia, pas një operacioni të detajuar dhe të drejtuar nga drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit. Ndërkohë në rrjetën e policisë kanë rënë edhe 11 persona, midis të cilëve, pronari i tyre, njëkohësisht edhe pronari i një anije, ndërsa priten edhe arrestime të tjera.

Kontrabanda

Ndonëse policia është treguar shumë e rezervuar në deklarime rreth rrugëve që kanë ndjekur personat e përzier në realizimin e kontrabandës dhe as elementë të tjerë që lidhen me hetimet e doganierëve, të cilët kanë favorizuar këtë trafik, duke lejuar kalimin e cigareve pa derdhur detyrimin doganor. Ajo që është publikuar zyrtarisht nga drejtuesit e policisë së Durrësit, është fakti se anija shqiptare “Eni” kishte mundur disa herë të fuste cigare kontrabandë.

Për të realizuar operacionin, në ndihmë të policisë së Durrësit kanë ardhur edhe forca speciale të anitrafikut nga Tirana si dhe disa drejtues të Policisë së Shtetit, ndërkohë që bëhet e ditur se krahas personave, tashmë të ndaluar, gjatë orëve të natës pritet të ndalohen edhe persona të tjerë, kryesisht doganierë të lidhur me këtë ngjarje.

Nga të dhënat e para të publikuara nga kryekomisari i policisë së Durrësit, mësohet se janë gjithsej 2.5 milionë paketa të padeklaruara në doganë dhe se ato kushtojnë 4 milionë dollarë. Cigaret e bllokuara janë të markës “Marlboro”, “Karelia Slims”, “Kingston” etj., dhe sipas llogaritjeve paraprake të bëra nga sektori i luftës kundër trafiqeve të paligjshme, rezulton një shmangie nga detyrimi fiskal në një vlerë prej 1.5 milionë dollarë, duke përfshirë tatim-fitimin, TVSH-në dhe akcizën.

Kanë qenë disa informacione të dhëna nga agjentët e zyrës së luftës së trafikut dhe kontrabandës, ata që kanë bërë të mundur zbulimin e sasisë më të madhe të sekuestruar në Durrës, që prej 15 viteve.

Operacioni

Objekt i parë i kontrollit të policisë ka qenë anija shqiptare “Eni”, me pronar shtetasin Fatmir Zotaj, e cila ka qenë e ankoruar në kalatat e Portit të Durrësit. Anija, edhe pse është mbajtur nën vëzhgimin e vazhduar të agjentëve të policisë, ka rezultuar pa mall kontrabandë. Anija në fjalë është kontrolluar për rreth tri orë dhe policia thotë se ajo ka qenë objekt kontrolli, pasi të dhënat operative deklaronin se anija ka kryer në mënyrë sistematike kontrabandë cigaresh. Por kanë qenë pikërisht burimet shumë të sigurta, ato që kanë shtyrë policinë e Durrësit t’i drejtohen magazinës së Zotaj në Shkozet të Durrësit, ku ai depozitonte duhanin, të bindur për fshehjen në sasira të mëdha të duhanit kontrabandë. Policia ka siguruar, së pari, ruajtjen e vendit, duke aktivizuar një numër të madh uniformash dhe më pas ka urdhëruar pronarin e magazinës të hapë dyert e saj, ndërkohë që Zotaj i është bërë i qartë edhe objekti i kontrollit. Në magazinë policia ka gjetur dhe më pas ka bllokuar 5 mijë koli të futura kontrabandë, për të cilën pronari i firmës nuk kishte dokument që vërtetonte derdhjen e detyrimit doganor. Menjëherë policia ka ndaluar 11 persona, mes të cilëve edhe pronarin e anijes “Eni”, Fatmir Zotaj. Policia nuk ka bërë të ditur emrat e personave të tjerë, duke thënë se personat janë nën hetim, ndërkohë që flitet se në mesin e tyre ka edhe marinarë të

anijes. Burime të tjera deklarojnë se, Prokuroria ka lëshuar urdhërndalimi edhe për disa doganierë, të cilët kanë lejuar daljen nga dogana pa likujduar detyrimin doganor të 5 mijë kolive me duhan, të transportuar me anije në 7 kontenierë. Drejtori i policisë së Qarkut të Durrësit, Muharrem Bardhoci, ka deklaruar gjithashtu se, gjatë 24-orëve të ardhshme do të ketë edhe

zhvillime të tjera, duke lënë të kuptohet se policia ka rënë në gjurmët e një rrjeti të gjerë të kontrabandës në Durrës.

Dy vjet më parë, pronari bëri ofertë në internet për të blerë anije

“Eni” e përfshirë dhe më parë në kontrabandë

Anija “Eni” dyshohet se ka qenë dhe herë të tjera e përfshirë në kontrabandë cigaresh. Ky është dyshimi i uniformave blu, të cilët po merren me hetimin e kësaj çështje si dhe me identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në kontrabandën gjigande. Një informacion i tillë është pohuar dhe nga burime zyrtare të policisë lokale të qytetit bregdetar. Anija “Eni”, e cila ka qenë nën pronësi të një shtetasi të huaj, është blerë nga Fatmir Zotaj disa vite më parë për llogari të firmës së tij “Zotaj shipping &Trading”, që realizonte eksport-import mallrash në vende të ndryshme të Evropës.

Ndërkohë nga burimet e policisë, mësohet se rreth dy vjet më parë, Fatmir Zotaj ka bërë nëpërmjet internetit një kërkesë për të blerë një anije të madhe transporti mallrash, duke vënë si garanci të ardhurat e tij vjetore prej 6 milionë dollarë, saktëson policia, duke iu referuar këtij njoftimi.

11 persona

të arrestuar

2.5 milionë paketa cigare

të bllokuara

4 milionë dollarë

vlera e cigareve

1.5 milionë dollarë

invazioni fiskal

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›