E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana, top-model në “Surface”



Pas shërbimeve si “manekin mode” për shtëpinë e modës “Bikembergs” e përzgjedhjes si futbollisti më seksi në Francë nga lojtarët e Ligës 1, përfundim i nxjerrë një nga faqet sportive franceze në internet Myfreesport.fr, që e konsideron mesfushorin e Marsejës si nga futbollistët më joshës, thashethemeve për shoqërinë me këngëtaren marsejeze, Clara Morgane, Lorik Cana tani është edhe në faqen e parë të një reviste speciale në Francë, në rolin e një top modeli. Revista quhet “Surface” dhe publikohet nga ish-portieri i Paris Sën Zhermenit, Zherom Alonzo. Numri i parë doli më 30 tetor dhe pikërisht në këtë numër ishin edhe fotot speciale të Lorikut, i cili fillimet e tij sportive në Francë i ka me klubin kryeqytetas francez. Revista është e tëra në shërbim të sportit, dhe në të publikohen shkrime, intervista e informacione sportive.

Lala, probleme me shpinën

Altin Lala dha kontributin e tij në fitoren 3-0 të Hanoverit të tij kundër Hamburgut, por zëvendëskapiteni i “96”-s është në dyshim për ndeshjen e radhës në transfertën e Këlnit. Sipas focus.de, mesfushori shkatërrues shqiptar ka probleme me shpinën. Situata te klubi gjerman i Bundesligës mund të përshkruhet me atë të një “spitali”, pasi shumë lojtarë të Dieter Heckingut janë të dëmtuar ose janë në rikuperim e sipër.

Apolonia, kandidaturë edhe slloveni Trajakoviç

Ndërsa Flamurtarin do ta drejtojë një emër i njohur si Edmond Liçaj, i vetmi trajner qa ka mundur ta shpallë kampione skuadrën vlonjate në sezonin 1990-1991 (Liçaj ka fituar edhe dy superkupa në vitet 1991 dhe 1992), në Fier ende janë të pavendosur për trajnerin e ri të Apolonisë. Largimi i Gert Haxhiut, në fakt, ka hapur një garë midis disa emrave më të njohur, përfshirë Faruk Sejdinin e Petrit Haxhinë. Një emër tjetër që po qarkullon është dhe ai sllovenit Ivan Trajkoviç, i cili mund të bëhej trajneri i dytë i huaj te Apolonia pas rumunit Silviu Dumitresku.

Sampdoria në Napoli pa tifozë

Takimi midis Napolit e Sampdorias do të luhet pa praninë e tifozëve dorianë. Komiteti i Sigurisë së stadiumeve në Itali vendosi mbylljen e sektorit të miqve në stadiumin “San Paolo”, pasi e konsideron ndeshjen midis Napolit e Samp si një garë me rrezik të lartë. Për ndeshjen Juventus-Xhenova u vendos që një tifoz mund të blejë vetëm një biletë, të cilin nuk mund ta rishesë. E njëjta mënyrë vlen edhe për takimin Livorno-Treviso.

6 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›