E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat: “Beqaj, dhurata e Interit”



Barazimi spektakolar 3-3 i Anorthosis Famagusta kundër Interit famëmadh ishte një nga surprizat e ndeshjeve të së martës në Ligën e Kampioneve. Portieri shqiptar i skuadrës qipriote, Arjan Beqaj, pësoi tre gola në këtë takim dhe mediat kanë qenë të ndara në lidhje me performancën e tij.
BEQAJ - Në minutën e 13-të Beqaj grushtoi gjuajtjen e sulmuesit suedez, Zlatan Ibrahimoviç, por nuk mundi të shmangte golin e Mario Balotelit, i pari nga tre golat e realizuar nga Interi. Disa media ndërkombëtare e konsideruan këtë gol si një “dhuratë” të portierit shqiptar, “duke lejuar Balotelin të shënojë”.
Në golin me kokë të Materacit (i dyti), Beqaj pësoi një “gol mes këmbësh”, i njëjti si ai që pësoi me Shqipërinë kundër Hungarisë. Para se të pësonte golin e tretë, Beqaj devijoi një goditje të fuqishme Ibrahimoviçit, ndërsa nuk kishte asnjë shans për të shmangur golin e barazimi të Interit të realizuar me kokë nga Kruz dhjetë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt.
KETSBAIA- Trajneri i Anorthosis, gjeorgjiani Temuri Ketsbaia, pranoi se formacioni i tij bëri një ndeshje të madhe, por se fitorja kundër zikaltërve do të ishte e padrejtë. “Do të ishte e pandershme nëse ne do të fitonim”, - tha ai. “Interi pati shanset e tij, ne patëm tonat, por të jem i ndershëm, unë jam i pakënaqur me rezultatin e ndeshjes së parë”, - tha trajneri i Beqajt në lidhje me fitoren 1-0 të Interit në Milano dy javë më parë.
“Interi mori përsipër rrezikun dhe kështu ndodhi. Ata kanë shumë opsione dhe lojtarë cilësorë”, - tha Kestbaia për gazetarët. “Unë mendoj se Interi do të kualifikohet për më tej, por ndoshta ne jemi në pozicionin më të mirë për të zënë përfundimisht vendin e dytë”.
MURINJO - “Nuk ishte një çështje e taktikës”, - tha Murinjo pas ndeshjes. “Ne thjesht bëmë disa gabime individuale të pafalshme. Por ka ende kohë përpara të kualifikohemi përpara se të vinë Krishtlindjet”. Në fakt, skuadrat në Grupi B janë shumë pranë njëra-tjetrës. Interi kryesues ka 8 pikë, Anorthosis 3, Panathinaikos 4 e Verder Bremen 3. Murinjo beson se ekipi i tij do të përfundojë i pari në grupin e tij. “Ne duhet ta kishim fituar ndeshjen”, - tha Murinjo. “I patëm të gjitha mundësitë, por dështuam. Por kur shikon renditje, një barazim nuk është një shkatërrim, edhe pse unë nuk jam i lumtur. Ne duhet të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme”. Interi do të luajë kundër Verder Bremenit dhe Panathinaikosit.

Morati: “Interi kishte frikë”

Masimo Morati nuk ka turp ta pranojë se barazimi i së martës në mbrëmje në Nikosia i “shpëtoi nderin” skuadrës së tij.
Presidenti i Interit kishte frikë nga më e keqja, kur skuadra qipriote ishte në avantazh në pjesën e dytë, por goli i Cruz i dha një pikë të rëndësishme zikaltërve për kualifikimin në 16 më të mirat e Ligës së Kampioneve. Padroni i Interit: “Skuadra u nis shumë mirë; dukej një ndeshje e thjeshtë, besoj se erdhi paksa kompleksi e frikës nga ndeshjet e lehtë që përkundrazi të bëjnë të shkosh keq. Barazimi na shpëtoi paksa faqen”.

Deko e Skolari, në shënjestër

Roma regjistroi një fitore të bujshme 3-1 ndaj Çelsit dhe shtypi anglez nuk ia fali poshtërimin skuadrës londineze. “Guardian”: “Çelsi shkatërrohet në Romë”. “Daily Star” e kishte inatin të tërin me Dekon për natën e trishtuar të bluve pas. Bashkë me Dekon në shënjestër ishte dhe trajneri. “Daily Mirror” e konsideronte humbjen e formacionit të Luiz Felipe Skolarit si më të keqen e dy viteve e gjysmë të fundit. “Daily Express”: “Skolari vuan në Romë”.

Vuçiniç: “Ishim të pabesueshëm”

Heroi i dy golave kundër Çelsit, Mirko Vuçiniç, pohoi se Roma bëri një ndeshje të madhe në fitoren 3-1 kundër skuadrës angleze në ditën e katërt të Ligës së Kampioneve. Roma shkoi në ndeshje si një skuadër e dëshpëruar pas pesë humbjeve rresht, por shpërtheu kundër formacionit të Skolarit. “Duke parë mënyrën se si hymë në fushë, ne do të kishim fituar këtë ndeshje me çfarëdo formacioni që të luanim”, - tha malazezi Vuçiniç. “Ne kishim një energji të pabesueshme”.

6 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›