Banesat sociale, qeveria ndryshon koston e ndërtimit
Qeveria korrigjon një vendim të saj, përsa i takon çmimit për njësi. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Këshilli i Ministrave bëri rregullimin e çmimeve të kostos së ndërtimeve. Udhëzimi i ri i qeverisë, përcakton se "Kostoja mesatare e ndërtimit për vitin 2008" në kolonën "Çmimi për njësi sipërfaqe shfrytëzimi", në renditjen 18, "Bashkia Burrel", shifra 35.539 lekë/m2, të bëhet 33.539 lekë/m2. Gjithashtu, edhe një tjetër korrigjim bëhet në vendimet e mbledhjeve të qeverisë. "Në tabelën nr.2 "Të dhënat e tregut të lirë të apartamenteve sipas qyteteve, për vitin 2008", në kolonën "Qytetet", renditja 2, fjala "Vlora" bëhet "Vora". Në relacionin e këtij udhëzimi, thuhet se "udhëzimi tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare, por materiali i dërguar në Këshillin e Ministrave gabimisht është paraqitur me dy gabime ortografike në tabelat që i bashkëlidhëm. Për këtë arsye paraqesim propozimin për disa ndryshime në udhëzimin nr.1 datë 20.08.2008 "Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave për vitin 2008", i cili ka për qëllim korrigjimin e gabimeve.