E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, bllokohet rruga me Kosovën

 

KUKES / JONUZ HALLAÇI

Banorët e Morinit ngrihen në protesta masive për kompensimin e pronave të tyre, të zëna nga ndërtimi i korridorit Durrës-Kukës-Morin. Për dy orë u bllokua dje rruga nacionale që lidh Shqipërinë me Kosovën. Dhjetëra banorë të këtij fshati protestuan në afërsi të doganës, duke paralizuar çdo lëvizje.
Në të dyja anët e kufirit u formua një varg i gjatë automjetesh,  deri në 2.5 kilometra. Ndërkohë që bllokimi i rrugës shkaktoi konfuzion mes banorëve, drejtuesve apo pasagjerëve të automjeteve dhe forcave të rendit. Mbi 15 punonjës të Drejtorisë së Policisë së Kukësit arritën në vend. Ndonëse nuk pati të shoqëruar, mes palëve situata u acarua duke precipituar deri në të shtyra. Policia shmangi dhunën me banorët, të cilët e kishin paralajmëruar më parë protestën dhe bllokimin e rrugës për shkak se ata ende nuk janë kompensuar. Situata është normalizuar vetëm pas dy orësh nga protesta e dhjetëra banorëve të Morinit, të cilët kërcënojnë se të hënën do ta vijojnë më të përshkallëzuar protestën, derisa shteti t'u numërojë në dorë paratë e pronave. Fluksi dje për në Kosovë ishte tepër i ngjeshur edhe për shkak se të mërkurave në Prizren është ditë tregu. Shumë banorë e tregtarë të Kukësit dhe zonave të tjera përreth shkojnë të bëjnë pazar në Kosovë. Kur situata mes palëve nuk po gjente zgjidhje, dhe banorët nuk pranuan të hapin rrugën për kalimin e automjeteve, drejt Morinit mësohet se u nisën edhe përfaqësues të prefekturës së Kukësit. Ata kanë dialoguar dhe bashkë me policinë u arrit që vetëm dy orë më pas, rreth orës 10:00, karvani i gjatë i makinave të vijonte sërish udhën për në destinacionet përkatëse. Bajram Duraku, banor i Morinit ishte organizatori kryesor i protestës së djeshme. Ai pohoi se i kishte lajmëruar më parë organet kompetente për këtë protestë të cilën ai dhe shumë banorë të tjerë ishin të detyruar ta bënin pasi shteti ishte indiferent ndaj të drejtave të tyre. Bllokimi është bërë pikërisht në tokën e tij ku kalon rruga e re. Dikur ka qenë një karburant i tij. "Unë kam pasur një pikë karburanti dhe një shtëpi që e kam prishur këtu ku kalon tani traseja e rrugës. Edhe shtëpia tjetër është 7 metra larg rrugës dhe ka nisur të prishet. Shumicën e pronave nuk mi kanë futur në listën e shpronësimeve, ndërkohë që vlera e asaj që po kompensohet është shumë e ulët. Katër mijë lekë të vjetra toka bujqësore dhe diçka më shumë trualli, që është 2 herë më pak se në qytet. Unë kam gjithë dokumentacionin e duhur për këtë. Kam edhe mbështetjen e pushtetit vendor, por puna ka ngecur në zyrat e shtetit", tha Duraku. Ai i kërkon shtetit t'i kompensohen pronat, në të kundërt, të hënën do të vijojë protestën. Policia e Kukësit mbajti në monitorim gjithë kohën protestën, ndërkohë që sipas zyrtarëve të saj, nuk pati incidente apo dhunë. Protestuesit zbritën në qytet dhe takuan përfaqësues të tjerë të prefekturës. Këta të fundit i këshilluan të paraqesin dokumentacionin në bazë të ligjit. Ende nuk ka një listë të atyre që do të shpronësohen, pasi disa herë janë ribërë dokumentet. Kjo për shkak se pretendimet për shpronësime janë më të mëdha se ato të publikuara nga shteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›