E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, bllokohen dhe 5 klandestinë

 

SARANDE - Trafiku klandestin nga Saranda po rikthehet me ritme të shpejta. Pas ndalimit të 18 personave tre ditë më parë në një hotel të qytetit, dje u arrestuan dy organizatorë, ndërsa ndihmonin për të kaluar kufirin 5 klandestinë. Që herët në mëngjes, policia mbajti në vëzhgim dy të rinj nga Vlora, duke finalizuar në mbrëmje aksionin e koduar "Agimi". Aristil Gllucaj, 18 vjeç dhe Oltion Varsi, 19 vjeç u kapën nga policia, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë dhënë ndihmë 5 shtetasve, nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin. Nga hetimet e kryera nga policia është mësuar, se dy të rinjtë vlonjatë do të përfitonin nga 650-800 euro për secilin nga klandestinët. Ata u ndaluan në autobusin Sarandë-Qafë Botë e më tej do të ndiqnin rrugën ilegale nga udhërrëfyesit. Pas marrjes në pyetje, policia identifikoi dy prej organizatorëve të linjës së trafikut.             sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›