Bllokohen 400 ton krom në Portin e Durrësit, ishin pa faturë tatimore
DURRES – Vetëm disa javë pas alarmit të ministrit të Financave për evazion fiskal në industrinë minierave, është shënuar rasti i parë i bllokimit të kromit që po eksportohej drejt Italisë pasi malli ishte pa faturë tatimore. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se janë bllokuar rreth 400 tonë mineral dje në mëngjes në portin e Durrësit. Sipas tyre, 10 makina të ngarkuara me mineral u ndaluan gjatë një aksioni të përbashkët nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe sektori i Task Force, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Durrësit. Të dhënat flasin se gjithçka është organizuar falë një operacioni të nisur disa ditë më parë, i cili është finalizuar në momentin kur kromi po përgatitej për tu ngarkuar në anije drejt shtetit fqinj. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Shkëlqim Sula tha për gazetarët se “kamionët me mineral vinin nga Bulqiza dhe ishin të pashoqëruar me faturë tatimore”. Sula shtoi se bllokimi ishte bërë në bazë të ligjit të ri të “Procedurave Tatimore” në të cilin thuhet shprehimisht se “çdo mall i cili gjendet i pashoqëruar me faturë tatimore konfiskohet”. Kamionët e konfiskuar ishin me targa shqiptare dhe janë të në pronësi të dy kompanive. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve u rezervua të jepte emrat e dy kompanive që kanë bërë transportin e mineralit pa e shoqëruar me faturë tatimore, para se të bëhen verifikimet e duhura. “Për momentin” - sqaroi Shklëqim Sula – “është konfiskuar dokumentacioni dhe në bazë të ligjit në fuqi do të merren masat ndëshkuese për firmat që kanë bërë të mundur transportin pa faturë tatimore”. Sipas ligjit të ri për “Procedurat Tatimore” firmat rrezikojnë gjobë që është e barabartë me 100% të TVSH-së së papaguar dhe gjobën tjetër që ka të bëjë me mallin e konfiskuar.
Disa javë më parë, ministri i Financave Ritvan Bode, në një takim me administratën tatimore lëshoi deklaratën “bombë” për evazion fiskal nga firmat që operojnë në sektorin e industrisë minerare. Ky ishte një sinjal edhe për Ministrinë e Ekonomisë, e cila gjatë këtij viti ka licencuar mbi 150 subjekte për shfrytëzimin e pasurive minerare në vendin tonë. Ndonëse flitet për rritje të eksporteve të mineraleve, shifrat flasin për më pak të ardhura që merren nga vjelja e taksave tek firmat eksportuese.
8 Shtator 2008