E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cigarja djeg tri stalla dhe disa krerë bagëti



KORÇË – Një cigare e hedhur në mënyrë të shkujdesur është bërë shkas për rënien e një zjarri, i cili ka shkrumbuar disa kokë bagëti, dy lopë dhe një sasi të konsiderueshme bari të thatë brenda disa stallave. Ngjarja ndodhi në mesditën e së premtes në një kompleks stallash kolektive në fshatin Kreshovë të Ersekës. Burimet zyrtare raportojnë se janë djegur plotësisht tre stalla bagëtish dhe 300 kuintalë jonxhë. Por gjithashtu flakët e zjarrit kane djegur 15 dhen dhe 2 lopë të cilat ndodheshin në ato minuta, brenda këtyre stallave. Pas kryerjes së hetimeve të para, policia tha se mendohet që shkak i këtij zjarri mund të jetë hedhja e pakujdesshme e ndonjë cigareje të ndezur.

I dehuri i vë zjarrin shtëpisë së tij

DURRËS – Një i dehur i ka vënë zjarrin shtëpisë së tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit pohojnë se pasditen e së premtes, rreth orës 17.00, në lagjen nr. 8, në qytetin bregdetar i është vënë zjarri banesës nga shtetasi Kujtim Haku. Sipas tyre, vetë Haku, është bërë shkas që të marrë flakë prona e tij. 45-vjeçari ka shkuar në banesë në gjendje të alkoolizuar dhe në një moment ku ai nuk e kontrollonte dot veten e tij, i ka vënë zjarrin shtëpisë. Për pasojë, janë djegur dyert, dritaret dhe orenditë e banesës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj shtetasit Kujtim Haku.

Hetim në liri 37–vjeçarit, paraqiti te polici rrugor patentë false

TIRANË – Policia dërgon materialet në Prokurori për një shtetas për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal. Enver Çaushi, 37 vjeç, lindur dhe banues në Mëzez do të pyetet rreth patentës së tij të falsifikuar që dorëzoi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një dëshmi aftësie me nr. 637124 dhe një leje qarkullimi e mjetit të mësipërm.

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›