Ndalohet 41-vjeçari, iu gjet Cannabis në stanin e tij
VLORË Policia e Vlorës ndaloi mbrëmjen e së premtes një 41 vjeçar, pasi akuzohet për kultivim të bimëve narkotike. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Rezarta Leli, tha se Gramoz Halilaj, u ndalua gjatë një aksioni të uniformave blu në stanin e tij, në afërsi të fshatit Gjorm, 40 km larg qytetit. Sipas saj, në territorin përreth stanit të Halilajt, në vendin e emërtuar "Gropa e Hidhësit", u zbuluan të kultivuara 470 rrënjë bime narkotike, Canabis sativa. Arrestimi i tij e çon në 26 numrin e personave të penalizuar nga policia e Vlorës gjatë këtij viti, me të njëjtën akuzë, atë të kultivimit të bimëve narkotike.
Sherr pronësie për shkollën, arrestohet një grua dhe dy vëllezërit e saj në Durrës
DURRËS – Tre anëtarë të një familjeje kanë përfunduar në komisariatin e policisë pasi kanë kundërshtuar ndërtimin e një shkolle mbi një truall për të cilin kanë pretendime pronësie. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se janë ndaluar nga forcat e rendit të rajonit të Shijakut shtetasit Ylli Elezi, Elez Elezi dhe Shkëndije Elezi, banues në fshatin Gjepalaj. Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20.30, dy vëllezërit Elezi kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e rajonit të policisë Shijak. “Përdorimi i fyerjeve dhe forcës nga ana e gruas dhe dy vëllezërve të saj, erdhi për shkak se efektivët e policisë, po mbështesnin zbatimin e një vendimi për lirimin e një sipërfaqeje toke në të cilën do të ndërtohet shkolla 9-vjeçare e fshatit Gjepalaj, tokë e cila është zënë nga shtetasit e mësipërm me pretendimin se është pronë e tyre”. Burimet e policisë vendore bëjnë të ditur se për të njëjtën arsye, disa ditë më parë, ndaj këtyre tre banorëve të Gjepalajt ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të Policisë të këtij Komisariati.
8 Shtator 2008