E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria i shuan zjarret me aeroplanë të marrë me qira në Greqi dhe Itali



TIRANË – Vendi ynë nuk ka asnjë mundësi që të ketë në dispozicion mjete ajrore për shuarjen e zjarreve. Sipas drejtorit të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, për shuarjen e zjarreve do të përdoren edhe vitin që vjen aeroplanë të marrë me qira. Sipas Alfred Ollit gjatë verës së këtij viti janë regjistruar rreth 400 raste zjarresh më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në të gjithë territorin e vendit, gjatë stinës së verës 2008, u regjistruan 1050 raste zjarresh, afro 400 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Numri i zjarreve problematikë, që shkaktuan dëme të mëdha në ekonomi, mjedis dhe prona publike e private, ishte 95, rreth 5 herë më pak se vitin e kaluar kur pësuam 500 të tillë”, - tha drejtori Olli. Ai vlerësoi dhe ndërgjegjësimin e komunitetit dhe kontributin e qytetarëve për shuarjen e zjarreve. “Si rezultat i angazhimit të strukturave të Ministrisë së Brendshme, theksoi Olli, u ndërhy në të gjitha rastet e rënies së zjarreve në territorin e vendit, duke kryer 980 operacione në terren dhe 70 të tjera në banesa e objekte të ndryshme”. Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme vlerësoi edhe ndihmën e mjeteve të specializuara nga Italia dhe Greqia, për shuarjen e zjarreve nga ajri në qarqet Gjirokastër, Vlorë, Fier, Korçë dhe Dibër. “Në kuadër të programit qeverisës, për periudhën që pason dhe për vitin 2009, Ministria e Brendshme ka programuar masa si dhe ka planifikuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm fonde shtesë për forcimin e mëtejshëm në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve”, - përfundoi Olli.

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›