Bllokohen 70 kg marijuane kapet vetem njeri prej korriereve
Kapen 70 kg marijuanë, kapet njëri prej korrierëve, ndërkohë që dy të tjerë i shpëtojnë prangosjes. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bënë të ditur se mbrëmjen vonë të së dielës, Policia Kufitare e Gjirokastrës ka bllokuar 70 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë dhe arrestoi në kushtet e flagrancës njërin prej trafikantëve, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim. Të njëjtat burime saktësojnë se shërbimet e policisë kufitare diktuan tre persona me çanta mbi shpinë që po shkonin drejt kufirit grek në vendin e quajtur “Gryka e Bogazit”, në afërsi të piramidës 24, në kufirin Shqipëri-Greqi. “Efektivët e policisë kufitare u vunë në ndjekje të trafikantëve, duke bërë të mundur arrestimin e njërit prej tyre, i cili është Adil Peshku 23 vjeç, nga fshati Kostenjë i Librazhdit. Ndërkohë, dy personat e tjerë, të cilët janë nga Saranda, duke përfituar nga errësira dhe moti i keq braktisën çantat dhe u larguan”, ka deklaruar zyrtarisht në një komunikim për mediat Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës. Më tej ai ka shtuar se nga këqyrja që iu bë çantave rezultoi se në to kishte 60 pako me lëndë narkotike të llojit marijuanë, me pesha të ndryshme, të mbështjella me letër natriban, ndërsa e gjithë sasia e lëndës narkotike arrinte në 70 kg. Gjatë këtij viti, policia e Gjirokastrës ka bllokuar mbi 2 tonë marijuanë, dhe ka arrestuar 47 persona të implikuar në trafikimin e saj.