Marinaret e braktisur i vene zjarrin anijes
Afrimi i natës së ndërrimit të viteve e gjen një pjesë të ekuipazhit egjiptian të anijes tregtare “Evangjelos” në kushte të vështira, ndërsa anija vazhdon të qëndrojë e bllokuar në Portin Detar të Durrësit. Rreth orës 13:45 të së hënës, flakë e tym janë parë të dalin nga anija që qëndron në radën e portit më të madh të vendit, si një sinjal SOS i lëshuar nga marinarët që qëndrojnë në bordin e saj. Menjëherë në drejtim të anijes, me të parë tymin, kanë shkuar përfaqësues të Kapitanerisë së Portit Detar për t’u njohur me situatën dhe ndërmarrë hapat e nevojshëm. Pak muaj më parë në anijen tregtare me pronar grek u përdor e njëjta formë proteste. U deklarua se ra zjarr dhe për rastin nisën hetimet për zjarrvënie të qëllimshme të mbeturinave nga 3 marinarët egjiptianë. Edhe një ditë më parë ata kanë dashur të tërheqin vëmendjen për kushtet e vështira në të cilat qëndrojnë. Të bllokuar prej afro një viti në anijen e tyre, anëtarë të ekuipazhit kanë protestuar sërish duke djegur një batanije në kuvertën e anijes dhe vënë në lëvizje autoritetet detare shqiptare. Zjarri është shuar shpejt, ndërkohë që po bisedohet me marinarët, të cilët janë të detyruar të respektojnë rregullat ndërkombëtare detare që i mbajnë ata në dispozicion të mirëmbajtjes së anijes për aq kohë sa ajo ndodhet e bllokuar. Që në fillim të këtij viti, dokumentacioni i anijes është bllokuar nga Kapitaneria e Portit Detar të Durrësit për shkak të një procesi gjyqësor në të cilin ndodhet pronari i anijes me tregtarët e mallit të dëmtuar gjatë transportit detar. Gjatë verës, dy nga pjesëtarët e ekuipazhit iu nënshtruan ndihmës mjekësore, pasi kequshqyerja dhe kushtet e rënda higjieno-sanitare gjatë qëndrimit të detyruar në anije kanë cenuar shëndetin e tyre. Anija me administrator grek nuk mund të lundrojë dhe të dalë nga ujërat shqiptare, pasi ende e ka të pazgjidhur çështjen gjyqësore në të cilën është përfshirë dhe ka të bëjë me dëmtimin nga uji të ngarkesës me pllaka zdrukthi që “Evangjelos” transportoi në rrugën e fundit. Fatet e marinarëve duken shpesh të trishta teksa përballen me konfliktet ekonomiko-financiare që lindin mes pronarëve të anijes dhe pritësve të mallit e ata harrohen në ujëra të huaja për muaj të tërë të bllokuar deri në çastin e zgjidhjes së konfliktit. Një vit më parë, një grup marinarësh shqiptarë u bllokuan për muaj të tërë në brigjet e Afrikës Veriore për shkak të problemeve financiare të pronarit të anijes.