E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna ne familje 59-vjecari plagos rende bashkeshorten

Tiranë Gjatë këtij viti, policia kryeqytetase ka evidentuar 352 raste

Një 59-vjeçar është arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi kishte plagosur bashkëshorten e tij. Ngjarja ka ndodhur në Kamzë, ku 59-vjeçari Asllan Lusha ka fyer dhe më pas ka goditur me sende të forta bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar plagë në fytyrë. Menjëherë, e plagosura është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se shkak i ngjarjes është bërë një grindje mes bashkëshortësh për motive të dobëta. Ndërkaq, Policia e Tiranës tha se nga Seksioni i Dhunës në Familje dhe Komisariatet e Policisë, për këtë vit janë plotësuar gjithsej 352 kërkesë-padi, të cilat janë dërguar në gjykatë. Për vitin 2011, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë synon rritjen e treguesve të performancës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e qarkut, në vazhdimin e punës për parandalimin dhe zbulimin e krimeve, në përsosjen e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me komunitetin, duke e konsideruar veten një shërbim të rëndësishëm publik në dobi të së gjithë shoqërisë. Hyrja në fuqi e ligjit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” dhe zbatimi i tij nga policia e kryeqytetit, ka pasur një efektshmëri pozitive në parandalimin e shumë ngjarjeve, duke bërë të mundur minimizimin e tyre dhe shmangien të shumë krimeve të rënda në familje, siç ishte edhe rasti i dy ditëve më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›