Radhe per aplikimin dhe marrjen e pasaportave biometrike
Radhë të gjata qytetarësh që presin për të aplikuar për dokumentet e identifikimit në zyrat e gjendjeve civile të Fierit. Gjithashtu janë të shumë qytetarët që presin për t’u pajisur me pasaportë brenda një afati shumë të shkurtër, tri ditësh, shërbim ky që vjen kundrejt pagesës së 15 000 lekëve. “Nga Lushnja kemi ardhur këtu se atje u fikën dritat, por më kot edhe këtu radhë pafund ka. Nuk është shërbimi që pretendojnë drejtuesit e Sagem”, ka thënë Astriti, banor nga Lushnja. Banorët e Rrethit të Fierit, por edhe të Mallakastrës dhe në shumë raste edhe nga Lushnja i drejtohen zyrave të aplikimit në Fier dhe presin me orë të tëra, pritje që arrijnë deri dhe me ditë. Katër operatorë aplikimi shërbejnë në zyrat e gjendjeve civile të Fierit. Ndërkohë që radhët e aplikimit shkojnë në më shumë se 200 persona pothuaj gjatë tetë orëve të punës. Të interesuarit për aplikim shprehen se kanë edhe ditë që presin. Ata ankohen se në shumë raste në zyrat e aplikimit nuk ka energji dhe për pasojë procesi bllokohet. Edhe pse furnizimi me energji është disi më normal gjatë dy ditëve të fundit sërish ka mungesa të saj për më tepër se një apo dy orë. Por, në rastin e ardhjes së energjisë është interneti ai që pengon dhe vështirëson punën. Sipas operatorëve sistemi kompjuterik është tejet i ngarkuar dhe i ngadaltë dhe për pasojë një aplikim karte shkon deri dhe në 30 minuta.