E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarja e Peqinit klasifikohet si vrasje arrestohen miqte e viktimes

Hetimi Policia e Elbasanit ngriti akuzën e rëndë për Skënder Sinën dhe Kujtim Methasën

Policia e Elbasanit i ka dhënë fund dilemës vrasje apo vetëvrasje për vdekjen e 55-vjeçarit Ali Ibaj, i cili u gjet i vdekur dy ditë më parë në ambientet e lokalit të tij. Burime zyrtare të policisë njoftuan dje se nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe nga ekspertimi i kufomës u arrit në konkluzionin se bëhej fjalë për një vrasje me armë zjarri, e për këtë arsye nisën hetime intensive, që shumë shpejt arritën në identifikimin e dy personave të dyshuar se janë të implikuar në këtë ngjarje.

Kështu, Policia e Elbasanit arrestoi dje dy shtetas me akuzën e vrasjes së 55-vjeçarit Ali Ibaj nga qyteti i Peqinit.

Hetimet

Viktima, Ali Ibaj 55 vjeç, u gjend pa jetë në lokalin e tij dhe policia fillimisht mendonte se bëhej fjalë për një vetëvrasje, por pas ekzaminimit mjekoligjor rezultoi se bëhej fjalë për një vrasje të pastër. Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe listimit të personave që kishin qenë në lokal ditën e vrasjes, policia gjeti prova të mjaftueshme për të akuzuar dy persona si autorë të këtij krimi. “Si pasojë e një pune intensive u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve të mëposhtëm: Skënder Sina, 56 vjeç nga Peqini, i dënuar për vrasje dhe Kujtim Methasa, 54 vjeç nga Peqini. Për zbardhjen e kësaj vrasjeje u bashkëpunua ngushtë me policinë e Elbasanit dhe u kryen metodat speciale të hetimit”, ka deklaruar dje Valbona Begu, zëdhënëse e policisë së Elbasanit.

Zbardhja

Ndërkaq, është zbardhur dhe skena e krimit të ndodhur rreth orës 15:00 të së dielës në lokalin e viktimës, ku tre miqtë kanë qenë duke pirë me njëri-tjetrin dhe në gjendje të dehur është kryer akti kriminal. Policia bën të ditur se shkaku i ekzekutimit të 55-vjeçarit nga dy miqtë e tij mund të ketë një grindje momentale, por që gjithsesi mbetet ende për t’u hetuar. Autorët e ngjarjes akuzohen për veprën penale “vrasje me dashje në bashkëpunim”. Policia ka sekuestruar armën e krimit në cilësinë e provës materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›