Fieri Peticion Hages Lironi Haradinjan
Komuniteti i Fierit, do t’i nisë një peticion Gjykatës së Hagës, duke i kërkuar lirimin e Ramush Haradinajt. Vendimi është marrë paraditen e së hënës gjatë një vizite që drejtues vendorë të Komunës së Pejës, ku lindi dhe jeton Ramush Haradinaj, kanë zhvilluar në Fier. Peticioni është firmosur nga qindra banorë dhe është konsideruar si përkrahje për ish-kryeministrin e Kosovës, i cili prej dy vjetësh është qytetar nderi i Fierit. Pasi sqarohen të gjitha arsyet që i shtyjnë qytetarët e Fierit të kërkojnë gjykimin në gjendje të lirë të Ramush Haradinajt, në peticion thuhet se “lirimi i z. Haradinaj jo vetëm që e rikthen vendosjen përfundimtare të drejtësisë në rastin e tij, por se lirimi i tij korrespondon dhe me nevojat e Kosovës për udhëheqje të përgjegjshme drejt sfidave në rrugën e integrimeve euroatlantike të këtij vendi”.
Vizita e zyrtarëve lokale të Pejës në Fier kishte për qëllim kryesor binjakëzimin e dy qyteteve. Për këtë arsye u nënshkrua një marrëveshje nga krerët respektivë të pushtetit vendor, Baftjar Zeqaj dhe Ali Berisha, në prani dhe të stafeve dhe biznesmenëve të të dy qyteteve.