E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 800 koli cigare kontrabandë në Durrës

Dogana

Tetëqind koli me cigare të markës “Capital” janë bllokuar në Doganën e Durrësit dje. Në një deklaratë për shtyp në terminalin e kontenierëve të portit detar, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, deklaroi se sasia e kapur është më e madhja e bllokuar deri më sot në portin më të madh të vendit. Cigaret janë transportuar me kontenier dhe si port ngarkese, referuar dokumenteve, konsiderohet Malta. Ndonëse nuk është deklaruar për arsye hetimi, kompania për llogari të së cilës është importuar kjo sasi cigaresh në vend, bëhet e ditur se ajo është objekt i një investigimi që ka nisur më parë dhe që vazhdon për të zbuluar të tjera sasi e produkte të futura në tregun tonë. Këto cigare konsiderohen nga specialistët si të papërshtatshme për konsumatorin, pasi u mungon dokumentacioni përkatës dhe janë të paregjistruara. Duhani i tyre do t’u nënshtrohet analizave që do të përcaktojnë dhe cilësinë, ndërsa po llogaritet vlera doganore e mallit të bllokuar. Hetimet kanë nisur që në pikën doganore të Hanit të Hotit, një tjetër pikë kufitare nga e cila operon firma “United Co” që ka importuar këtë sasi cigaresh.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›