E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza e zhdukur, policia heton për rrëmbim

Kukës, pas katër ditësh kërkime, nuk gjendet asnjë shenjë e Bleonës 6 vjeçe

Jemi në ditën e katërt të kërkimeve të Bleonës së vogël 6 vjeçe të familjes Mata në Zapod dhe ende nuk është gjetur asgjë gjurmë e saj. Asnjë shenjë jete apo vdekje, asnjë e dhënë për fatin e vogëlushes. I gjithë fshati Zapod dhe katër fshatra të tjerë të komunës kanë vazhduar kërkimet në mal dhe nëpër përrenj, por më kot, ende nuk kanë gjetur një gjurmë të saj. Mbi 500 burra të zonës janë përfshirë në kërkim së bashku me dhjetëra efektivë të Policisë së Kukësit, por edhe të Kosovës. Familjarët dhe të afërmit mbeten në ankth që prej së shtunës pasdite, kur 6-vjeçarja nuk u kthye në shtëpi me fëmijët e tjerë.

Dëshmia e hallës

Halla e vajzës së vogël ka dëshmuar se ka qenë e fundit që është ndarë me mbesën, vajzën e vëllait. Ajo tregon se pasdite kanë dalë si zakonisht me tufën e deleve dhe me lopët në malin e afërt ku ka pasur edhe fëmijë të tjerë. Në një moment të caktuar, vajzës së rritur i është larguar tufa e deleve dhe ka shkuar pas bagëtive për 7 minuta, duke e lënë vetëm mbesën 6 vjeçe. “E lashë mbesën vetëm dhe ngaqë kishte uri i hapa qesen e bukës që kishim marrë me vete. I thashë të më priste aty dhe shkova të mbledh bagëtitë. Kur u ktheva gjeta vetëm bukën me pak djathë dhe turshi të shtruar në gazetë, si dhe xhupin e vajzës. Asgjë tjetër nuk gjeta. Bërtita duke i thirrur, por nuk ishte askund, pyeta fëmijët e tjerë diku më përtej nja 2-300 metra, por nuk e kishin parë”, tregon halla 20 vjeçe e Bleonës së vogël.

Prindërit e Bleonës

Prindërit e Bleonës, Zamiri dhe Bukuria, tregojnë se menjëherë pasi morën vesh se vajza e tyre nuk po gjendej kanë nisur kërkimin, të cilit i janë bashkuar edhe familjarë të tjerë si dhe farefisi deri në orët e territ. Nga ana tjetër, mësohet se vetëm të nesërmen në mëngjes herët kanë njoftuar edhe Policinë e Kukësit nga janë nisur shumë shpejt një numër policësh. Nëna e vajzës, Bukuria, tregon se me ngrohjen e motit vajza e tyre e humbur dilte vazhdimisht me bagëtitë bashkë me fëmijë të tjerë deri te kodrat nga ku shihej që prej shtëpisë, por atë ditë kishte shkuar pak më larg se zakonisht.

Gjyshi

çfarë mund të ketë ndodhur me vajzën e vogël? Kjo pyetje po e mban peshë familjen Mata, fshatin Zapod si dhe Policinë e Shtetit. Gjyshi i së miturës, Zeneli, duke dyshuar ndër të tjera edhe për ndonjë rrëmbim të mundshëm nga trafikantë të qenieve njerëzore, thotë se nuk do të ndërmerrte asgjë kundër askujt nëse gjen vajzën e vogël. “Veç të gjej vajzën, asgjë tjetër nuk dua, as nuk merrem me polici apo me hakmarrje, dua veç të ma sjellin vajzën time”, thotë gjyshi i brengosur.

Pistat

Në fshat qarkullojnë mendime se vajza mund të ketë rënë pre e kafshëve të egra dhe për këtë Policia e Kukësit, Policia e Dragashit të Kosovës si dhe qindra fshatarë kanë krehur shumë kilometra katrorë të bjeshkës këtej dhe andej kufirit, por pa rezultat. Drejtoria e Policisë së Kukësit ka angazhuar në operacionin e kërkimit që prej ditës së parë një numër të madh efektivësh, të cilët furnizojnë njëri-tjetrin në bjeshkë pa ndërprerë kërkimin edhe në vendet më të rrezikshme. “Po bëjmë ç’është e mundur të shterojmë çdo pistë të mundshme për të cilën dyshojmë dhe jemi të vendosur t’i shkojmë deri fund kërkimit”, tha drejtori i Policisë së Qarkut, Sadri Ramçaj, duke shtuar se për Policinë e Shtetit ka tri pista hetimi dhe kërkimi, për të cilat nuk foli specifikisht.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›