E Shtunë, 31 Tetor 2026

Para për të punësuarit, hetime në zyrën e ndihmës ekonomike të Beratit

Dosja Policia i ka kaluar prokurorisë materialet për abuzimin e dyshuar me paratë e të varfërve

Zyra e Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit ka përfunduar hetimin për abuzimet e dyshuara me shpërndarjen e ndihmës ekonomike, duke e përcjellë dosjen pranë prokurorisë së rrethit.

Burime pranë Zyrës së Krimit Ekonomik në këtë qytet thanë se pas hetimeve të kryera në zyrën e ndihmës ekonomike janë vërejtur një sërë shkeljesh dhe dosja tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit të Beratit për hetim të mëtejshëm.

Dy muaj më parë, ekspertët e luftës kundër krimit ekonomik nisën verifikimet pas dyshimeve se në rajonet e kësaj bashkie shpërndahej ndihmë ekonomike dhe për shumë qytetarë që nuk plotësonin kriteret e përcaktuara për t’u trajtuar me këtë ndihmë. Kështu, gjatë verifikimeve të kryera në listat e qytetarëve që përfitojnë ndihmë ekonomike ka rezultuar se në katër rajonet e kësaj bashkie rreth 60 qytetarë kishin përfituar ndihmë ekonomike, duke u përfshirë në lista dhe pse nuk i plotësonin kushtet si të tillë.

Kështu, nga shkeljet e vërejtura nga ekspertët ka rezultuar se shumë qytetarë, ndonëse ishin të punësuar brenda vendit apo ishin në emigracion, kishin përfituar ndihmë ekonomike gjatë gjithë vitit 2009. Menjëherë sapo ka gjetur këto shkelje ligjore në listat e ndihmës ekonomike pranë Zyrës së Përkrahjes Sociale në Bashkinë e Beratit, Zyra e Krimit Ekonomik ka përgatitur dosjen në fjalë, e cila mësohet se dje ka mbërritur pranë organit të akuzës.

Numri i personave që përfitojnë ndihmë ekonomike në mënyrë abuzive mësohet se mund të jetë dhe më i lartë, pasi në vite shumë qytetarë dhe pesë të punësuar apo emigrantë kanë arritur të marrin ndihmë ekonomike nga shteti. Por, tashmë do të jetë organi i akuzës që do të vendosë se si do të veprohet më tej me Zyrën e Ndihmës Ekonomike dhe nëse do të ketë apo jo hetim ndaj katër punonjësve të saj. Tashmë mbetet për t’u vërtetuar se si ka funksionuar skema e shpërndarjes së ndihmës ekonomike në mënyrë abuzive nga rajonet e deri te zyra që ndodhet pranë bashkisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›