Një burrë dhe një grua helmohen me fostoksinë në Fier e Durrës
Një grua 54-vjeçare nga Durrësi është vetëhelmuar me bar miu dje. Në një gjendje depresive, për shkak të jetës së vështirë, shtetasja D. Zeqo me banim në lagjen Shkozet të qytetit bregdetar të Durrësit ka konsumuar një sasi fostoksine. Familjarët që e kanë gjetur nën efektin e helmit e kanë dërguar menjëherë në spital dhe me gjithë ndërhyrjen e mjekëve për ta mbajtur në jetë, gruaja 54-vjeçare ka gjetur vdekjen dje pasdite në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Një tjetër vetëvrasje ka ndodhur dje pasdite në Fier. Lulëzim Hamza, 57 vjeç, nga lagjja e romëve në fshatin Levan të Fierit, i ka dhënë fund jetës me fostoksinë. Burri është çuar në spital nga familjarët në orën 18:00 të mbrëmjes së djeshme në gjendje të rëndë. Mjekët e spitalit të Fierit thanë se nuk kishin pasur asnjë mundësi të shpëtonin 57-vjeçarin, pasi dy kokrrat e fostoksinës që ai kishte gëlltitur e kishin bërë efektin e tyre në organizëm. Policia e Fierit, që nisi hetimet për këtë ngjarje, bëri të ditur se Lulëzim Hamza kishte vështirësi ekonomike. Ai merrej me bujqësi, por e kishte të pamundur të mbante familjen me të ardhurat që siguronte.
#