Nusja vret vjehrrën dhe plagos bashkëshortin
Një 52-vjeçare është arrestuar nga Policia e Kurbinit, pasi dyshohet si autore e vrasjes së vjehrrës dhe plagosjes së bashkëshortit të saj. Në komunikimin zyrtar me mediat drejtues të uniformave blu thanë se dje rreth orës 10.10 kanë vënë në pranga Sanije Tugën, sepse dyshohet se kishte plagosur me çifte bashkëshortin, Baftjar Tuga dhe vjehrrën Behare Tuga. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Fushë-Gjorm të Kurbinit. Burime policore saktësuan se gjithçka ka ndodhur pas një sherri mes Sanije Tugës dhe vjehrrës së saj 72-vjeçare, Beharre Tuga, e cila është marrë në mbrojtje nga i biri, Behari. Kjo duket se nuk është kapërdirë nga 52-vjeçarja, që më pas ka marrë armën e gjahut dhe ka hyrë në kuzhinë ku ndodheshin nënë e bir, duke qëlluar mbi ta dhe duke i plagosur. Kanë qenë të afërmit e Behares dhe Baftjarit ata që pasi kanë dëgjuar të shtënat kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por Sanija është mbrojtur me pretendimet se bashkëshorti i saj ka qenë duke pastruar armën dhe nga pakujdesia arma e gjahut ishte shkrehur duke plagosur të ëmën dhe veten. Dy të plagosurit u dërguan në spitalin e Laçit, e më pas kur mjekët kanë konstatuar gjendjen e rënduar të tyre janë nisur me urgjencë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas burimeve spitalore, Beharja për arsye të humbjes së gjakut nuk ka mundur të mbijetojë, dhe ajo ka dhënë shpirt vetëm tri orë pas ngjarjes. Ndërsa Behar Tuga është jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Kurbinit e ka mësuar ngjarjen pas mbërritjes në spitalin e Laçit të dy të plagosurve. Ata kanë shkuar në shtëpinë e familjes Tuga, ku kanë kryer dhe ekspertizën e vendit të ngjarjes, duke sekuestruar edhe armën e krimit. Ekspertët kanë nisur hetimet për zbardhjen e motiveve të plagosjes, por nuk kanë besuar në deklarimet e nuses së shtëpisë. Ata kanë provokuar nusen se gjoja nënë e bijë kishin thënë gjithçka rreth asaj që kishte ndodhur, ndaj ajo më pas është zbërthyer duke thënë të vërtetën. Sanija ka pranuar krimin dhe madje ka shfaqur pendim. “Nuk doja t’i vrisja, por t’i trembja, pasi që të dy, bashkëshorti me vjehrrën më kishin fyer rëndë pak para plagosjes”, ka deklaruar nusja. Sipas policisë së Kurbinit, Sanije Tuga ka shfaqur çrregullime nervore, ndaj dhe ka kërkuar psikolog për të vazhduar marrjen e saj në pyetje.
#