Bllokohen fermerët, 800 hektatë tokë nën ujë
Fermerët e fushës së Korçës ankohen se nuk mund të mbjellin tokat e tyre, për shkak të përmbytjeve gjatë reshjeve të dimrit. Një pjesë e madhe e këtyre tokave në fushën e Maliqit janë ende nën ujë dhe ato pak sipërfaqe të padëmtuara nuk mund të shfrytëzohen me kapacitet të plotë. Janë të paktën 800 hektarë, të cilat janë ende pa kulluar. Kjo do të thotë se në pranverë, fermerët nuk do të mund të bëjnë mbjelljet e stinës, të cilat janë kryesisht të kulturave me misër, fasule dhe patate. Tokat e pakta që kanë mbetur për t‘u shfrytëzuar i janë lënë grurit, si produkti kryesor i zonës. Sipas fermerëve të zonës, sipërfaqet mund të kullohen vetëm në fund të muajit maj. Zonat problematike janë kryesisht në Libonik, Drithas, Sheqeras, Sovjan, Podgorie dhe Vreshtas që ndodhen në fushën e Maliqit.