"Donatorët t‘i përgjigjen hapit tonë të shpejtë"
Qeveria nuk ka kohë të presë donatorët, derisa të marrin vendimin për miratimin e fondit për projektin e huaj. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, është dukur më i drejtpërdrejtë në paraqitjen e problemeve që has qeveria në raport me projektet e donatorëve. "Ndërsa qeveria tashmë po e udhëheq procesin e koordinimit, shpeshherë ne përballemi me procedura tejet të zgjatura të donatorëve, të cilat bëjnë që në çastin që ndihma vjen, ajo të jetë e vonuar apo thjesht jashtë kontekstit. Ne po përpiqemi të lëvizim shpejt, por do të kërkonim gjithashtu që donatorët t‘i përgjigjeshin hapit tonë", u shpreh ministri Ruli në konferencën e donatorëve, e cila u zhvillua dje në Tiranë. Në fillim, kreu i METE-s paraqiti situatën e rëndë që kishte gjetur kur qeveria e djathtë erdhi në pushtet. Sipas tij, shumë projekte dhe fonde donatorësh përplaseshin me njëra-tjetrën, për faktin se nuk kishte koordinim të punëve. Ministri analizoi para të huajve situatën ku është sot ekonomia shqiptare, si dhe katër prioritet e qeverisë: sektori i SME-ve, sektori i energjisë, zhvillimi rajonal, si dhe iniciativat në kuadër të "One UN".